Visart Cengu, 31-vjeçari që u vra nga Dibran Hoxhaj (Kobra) pas sherrit për faturën 400 euroshe që nuk pranoi të paguajë, është përcjellë për në banesën e fundit.
Xhaxhai i viktimës, Besim Cengu paralajmëron autorin dhe drejtësinë. Ai tregon se nipi i tij, kishte ardhur nga Franca për festat e fundvitit. Pasi kaloi natën e ndërrimit të viteve me familjen, prindërit dhe tre motrat, të hënën u nis për në Prizren me dy shokë për të konsumuar një darkë. Por mbrëmja në lokalin e natës “Kobra” në Prizren rezultoi fatale. Besim Cengu thotë se nëse ‘kobra’ do të lirohet nga burgu siç ka ndodhur gjithmonë, ai do ta vendosë vetë drejtësinë në vend.
“Fëmijët tanë nuk ishin të armatosur. Ai ka pasur truproja. Kur ke “mashën pse djeg duart”? Unë e njoh atë vend komplet. Të gjitha lokalet në periferi të Prizrenit janë të infektuara, ose janë lokale nate, shfrytëzohen prostituta dhe e dyta aty është edhe elementi i krimit, armës. Këta (djemtë) nuk e kanë ditur këtë formë, kanë shkuar për një darkë dhe ngecën në atë vend.
Unë e njoh shumë mirë situatën aty. Ne jemi në një periudhë ku duhet të zgjojmë ndërgjegjen tonë, jo vetëm qytetare por edhe qeverisje së dy krahëve, që duke lënë këta njerëz jashtë, këta me siguri do të ndikohen negativisht tek krahu tjetër. Nëse do ta nxjerrin vrasësin e djalit me siguri do të nxitet krahu tjetër. Kur merret masa amortizohet situata. Ky nuk është kërcënim. Duhet drejtësi. Kurrë më figura të kësaj natyre. Janë mbeturina orientale. Personi ka mbi 10 vite ecën edhe i veshur si oriental, po përdhos edhe mentalitetin religjioz, futet në xhami dhe falet, na jep mend ne. Kjo është e tmerrshme. Ky është personi, që ka menaxhuar një femër me një emër arme (Kallashi). Nëse ai del nga burgu, do të zgjojë tek ne reagimin me siguri. Nuk janë larg. Janë shumë afër. Prej fshatit ku është ky djali, autori, unë jam stërnip.
Nuk e besoj. Nëse gjykoj këtë veprimin e fundit të atij djalit, nëse e gjykojmë se ka ardhur si rezultat i një kulture edukimi nga ajo familje, është shumë e vështirë me pasur burra prej atyre me ardhur me diskutuar. Ne nuk jemi familje patriarkale. Ne edhe tolerojmë edhe gjykohet, edhe di të flasë dhe gjykojë. Ne nuk do të fillojmë luftën. Ne jemi një komb, popull dhe mentalitet, ky është rast i veçuar. Nuk mund të na komandojnë këta njerëz. Këta kokëqethur, me zinxhir sa një gisht në qafë. Mjaft më me këta njerëz. Nuk mund ta ngrenë zvarrë popullin si ky ordiner. I mbylli derën vëllait. I kanë mbetur tre motra, prindi dhe nëna e vet krahëthatë. Si mundet që të dalë prapë ky njeri dhe të qarkullojë prapë, kjo do të ishte skandaloze. Dobësia më e madhe e shtetit në Kosovë”, deklaroi Cengu.