Pikat e kalimit kufitar nga Kosova drejt Serbisë janë hapur dhe lëvizet lirshëm. Por përtej kësaj qetësie të momentit, nevojiten hapa afatgjatë. Vijimi i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, shihet me prioritet nga qeveria gjermane, e cila rekomandon palët të ulen në bisedime.
“Ky është një sinjal i mirë i të dy palëve, që rezultoi me heqjen e barrikadave nga minoriteti serb në veri të Kosovës. Tani duhet të përqendrohemi tek mbështetja e dialogut dhe vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë është duke bërë qeveria gjermane”, tha zëdhënësja e qeverisë gjermane Christianne Hofmann.
Ajo nuk pranoi të komentojnë kërkesat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për dërgimin e më shumë ushtarëve të NATO-s në Kosovë, i cili ka deklaruar në një intervistë për “Die Welt” se “forcimi i trupave të NATO-s në vendin tonë do të forconte edhe sigurinë dhe paqen, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Por përfaqësuesit e NATO-s kanë qenë të qartë në deklaratat se ata janë në gjendje të kujdesen për paqen dhe sigurinë. KFOR-i është në Kosovë prej vitit 1999 dhe kujdeset për sigurinë e vendit. Rreth 3800 trupat e NATO-s janë garanci e sigurisë në të gjithë Kosovën.
/a.r