Biznemeni Edmond Papa, i ekzekutuar mbrëmjen e 16 dhjetorit në Tiranë, është mbajtur më shumë se një muaj në vëzhgim nga autorët e krimit para ngjarjes.
Burime të A2 CNN pranë grupit të hetimit bënë me dije se nga analizimi i dhjetëra orë filmimeve të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja, por edhe pranë hotelit në pronësi të tij në Sarandë, rezulton se lëvizjet e biznesmenit janë mbikëqyrur nga të dyshuarit prej muajit nëntor të vitit të kaluar.
Në pamjet e administruara nga prokuroria, shfaqet në disa raste automjeti Audi me targa të huaja i autorëve të dyshuar në afërsi të vendeve të frekuentuara nga biznesmeni Papa. Automjeti në fjalë, aktualisht i sekuestruar, është fiksuar nga kamerat e sigurisë pranë lokalit ku ndodhi vrasja në zonën e Selitës, por edhe në Sarandë, si edhe në lëvizjet e biznesmenit mes dy qyteteve.
Sipas hetimit, nga pamjet e kamerave të sigurisë u identifikua edhe 30-vjeçari Alban Velo, i dyshuar si i përfshirë në ngjarje dhe i arrestuar në 1 janar, si edhe u shpall në kërkim një 40-vjeçar me iniciale A. B. si bashkëpunëtor i tij. Pista kryesore e hetimit për motivin e ngjarjes është hakmarrja.
49-vjeçari Papa dyshohet se u vra si hakmarrje për ekzekutimin e Aleksandër Sadikajt me shpërthim eksplozivi më 11 qershor në qytet, me të cilin kishte pasur mosmarrëveshje për veprimtari të jashtëligjshme.
/a.r