Një efektiv i Policisë Rrugore të Tiranës është arrestuar nga policia pasi u kapë me një sasi të vogël lënde narkotike në automjetin e tij. Ngjarja ka ndodhur në dhjetor të vitit 2022 ku efektivi i rrugores, Renato Feri, u pikas nga forcat Shqiponja duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara në afërsi të Pallatit me Shigjeta.
Forcat Shqiponja i bënë me shenjë të ndalonte mjetit të efektivit të policisë, i cili ishte me xhama të errësuara. Drejtuesi i mjetit, efektivi Renato Feri, në vend që të ndalonte, ka shtuar shpejtësinë duke rrezikuar jetën e njërit prej policëve që i kërkuan të ndalonte. Më pas ka ndaluar, ka hapur xhamin dhe ka nisur t’i shajë dhe ofendojë kolegët.
Fill pas kësaj është larguar me shpejtësi, pasi refuzoi të identifikohej. Forcat Shqiponja lajmëruan sallën operative ku u bë i mundur ndalimi i tij në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut. Pas kapjes, policia zbuloi se Renato Feri ishte koleg i tyre, efektiv i Rrugores. Brenda mjetit gjatë kontrollit u gjet kanabis sativa. Mësohet se efektivi Ferri, edhe në momentin që është kapur, i ka ofenduar dhe sharë kolegët e tij sërish.
Ata e arrestuan dhe dërguan në Komisariatin nr. 6. Renato Feri është djali i Arian Ferit, i cili është shef sektori i burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Burimet bëjnë me dije se efektivi Renato Feri është përjashtuar nga Policia e Shtetit me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku.
Mbi të rëndojnë akuzat e kundështimit të punonjësve të policisë dhe prodhimi e shitja e lëndëve narkotike.
/a.r