Çdo 1 janar, menjëherë pasi akrepat shënojnë fillimin e një viti të ri, shteti nis një kapitull të ri me buxhetin dhe shpenzimet që planifikon të bëjë, por po ashtu ndryshojnë dhe të ardhurat që duhet të paguhen nga qytetarët dhe bizneset. Çdo vit taksat preken ndjeshëm në këtë planifikim, duke bërë që shqiptarët të dalin më të fituar, apo më të rënduar nga pagesat që i detyrohen shtetit.
Në 1 Janar 2023, taksat që u ndryshuan automatikisht, ishin më të pakta se vitet e shkuara. Këtu përmendim rritjen e akcizës së cigareve me 5 lekë për paketë dhe dyfishimi i akcizës për birrat e prodhuara brenda vendit, që pritet të reflektohen tek çmimi final.
Lehtësi nga ana tjetër për bateritë e paneleve diellore dhe makinave elektrike, që do të paguajnë më pak akcizë, por edhe për familjet që ngrohen me dru, pas heqjes së TVSH-së për drutë e zjarrit.
Nga sot, bizneset ndërkohë rrezikojnë gjoba më të larta për fshehjen e punonjësve, shkeljet e procesit të fiskalizimit dhe duhet të mbajnë një sasi të kufizuar paraje cash në arkë. Ndërsa prodhuesit e energjisë, do të paguajnë gjysmën e fitimeve të vitit të shkuar të arritur nga shtrenjtimi i energjisë në formën e kontributit të solidaritetit.
Në Janar qeveria ndërkohë ka deklaruar se do të nisë shpërndarja e Pakos së Madhe, me pagesa nga 8 mijë lekë për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar, tek 10 mijë lekë për punonjësit e shtetit me paga të larta, e deri tek 20 mijë lekë për punonjësit që marrin nën 60 mijë lekë dhe gratë kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike.
Ndryshimet e tjera fiskale ndërkohë mbeten të planifikuara në buxhet, por ende pa një votë finale. Si rihapja e lojërave të fatit online dhe ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat, i cili duket se do të nisë zbatimin në vitin 2024.
Gjatë debateve për buxhetin në parlament, qeveria u zotua gjithashtu të rrisë pagën minimale në 36 mijë lekë brenda gjysmës së parë të këtij viti dhe më pas në 38 mijë lekë në gjysmën e mbetur. Ndërsa një nismë që mbetet në pritje është edhe amnistia fiskale.
/a.r