Kështu do të niste një vit i vështirë për demokratët, të cilët përplasjet e ideve, i kthyen në përplasje fizike më 8 janar. Një protestë e thirrur nga Sali Berisha para selisë së PD, të cilën asokohe ende e kishte nën zotërim Lulzim Basha do t’i jepte një kthesë të fuqishme zhvillimeve në PD duke sjellë përforcimin e akuzave dhe sulmeve të dy palëve nga njëra tjetra.
Në mars, demokratët do të përballeshin me sfidën e parë elektorale të ndarë nga njëri-tjetri. Lulzim Basha garoi me kandidatët e tij, nën logon e PD, ndërsa Berisha nxori emra të tjerë në garën për 6 bashki, duke i strehuar nën logon e LSI. Nën këtë koalicion, të quajtur “Shtëpia e Lirisë”, fitoi edhe bashkinë e Shkodrës ndërsa PD u rendit forca e tretë, me vetëm 26.662 vota, ndjekur nga kandidatët e Shtëpisë së Lirisë, me rezultat më shumë se dy herë më të lartë se logoja zyrtare e PD, ndërsa PS mori 106.703 vota. Ky rezultat që konfirmoi, se të paktën në 6 bashki, Berisha mbështetej më shumë se Lulzim Basha, solli rritjen e presioneve të deputetëve ndaj Lulzim Bashës për t’u larguar nga drejtimi I PD dhe për t’i hapur rrugë bashkimit.
Komod me një vendim të shkallës së parë në xhep, Sali Berisha nisi ristrukturimin e partisë, duke zëvendësuar të gjithë drejtuesit e strukturave të Kohës së Lulzim Bashës. Procesi u përmbyll me konfirmimin e tij kryetar i PD së që e mbështet atë, me rreth 40 mijë vota demokratësh. Por vetëm 1 muaj më vonë selia blu u trondit nga shpallja për herë të dytë non Grata e Berishës, këtë herë nga Mbretëria e Bashkuar.
Prej asaj kohe, Berisha mori në duar edhe aksionin e opozitës në terren. Përballë një PD që njeh Enkelejd Alibeajn, që e përqendroi betejën e vet në parlament, me nisma ligjore e oponencë përballë ligjvënësve socialist, Berisha thirri në harkun kohor të 5 muajve 3 protesta, atë të 7 korrikut, 12 nëntorit dhe 6 dhjetorit, ku Berisha u qëllua me grusht nga një i ri 32-vjecar, moment që shkaktoi një tjetër valë akuzash ndaj kryeministrit Rama.
Përgjatë vitit, demokratët patën vetëm 1 nismë për bashkim, atë për daljen me 1 kandidat në zgjedhjet vendore të 14 majit të 2023, duke ia besuar procesin e negocimit Edi Palokës dhe Gazment Bardhit. Kjo tentativë dështoi dhe Berisha zgjodhi më 4 dhjetor kandidatët e tij në të gjitha bashkitë, ndërsa Alibeaj ka miratuar kandidimin nën logon e PD të kandidatëve në disa bashki.
Fundviti riktheu temën e bashkimit, pas një dreke festive që deputetët e PD bënë bashkë! Por as trokitja e gotave nuk e mbylli plagën e ndarjes, duke konfirmuar se edhe viti që vjen do ta gjejë PD në dyert e gjykatës, për të gjetur vulën e humbur, sërish në luftë… me veten./shqiptarja.com