Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke folur për vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, tha se SHBA brengoset për gjendjen në Kosovë dhe tha se populli i Kosovës është mirënjohës për mbështetjen amerikane. Sidoqoftë, ai tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin me SHBA-në. “Gjendja në Kosovë nuk është e mirë. Kerry vizitoi Prishtinën në fund të vitit të kaluar. E në fillim të këtij viti po viziton Tiranën”.
“Kjo është një vizitë e rëndësishme edhe për vendin por edhe për kohën kur po ndodhë”.
“Shumica e njohjeve të Kosovës nuk do të ndodhte pa SHBA-në dhe ne jemi falënderues për këtë”. “Por shqiptarët duhet ta thellojnë aleancën pra të bëjnë bashkëpunim për të ardhmen dhe jo për të kaluarën”. “Shqipëria duhet të forcojë ushtrinë, e Kosova duhet të formojë ushtrinë. Prandaj, ne duhet të kemi më shumë bashkëpunim në çështjen e sigurisë”, tha Kurti, transmeton lajmi.net. I pyetur se nëse kjo vizitë e Kerryt është mbështetje për zgjedhjen e Hashim Thaçit për president, Kurti tha se nuk beson se sekretari amerikan “përzihet” se kush do të duhej të ishte president i Kosovës. “Besoj se nuk është kjo vizitë për mbështetje për Thaçin president. Nuk besoj se zoti Kerry përzihet se kush do të bëhet president në Kosovë”, tha Kurti.