Kriza me barrikadat mund të jetë drama e fundit në Kosovë që ndërmjetësuesit perëndimorë e shohin me durim dhe moderim diplomatik. Pritet që BE dhe SHBA të marrin një pozicion shumë më të fortë si ndërmjetës në periudhën e ardhshme dhe t’u bëjnë presion të dyja palëve të pranojnë marrëveshje të reja bazuar në parimin “merre ose lëre”.
Nga Marko Tašković
Analistët besojnë se një përfundim i tillë është i sigurt sepse në të kundërt do të ketë kriza të reja që do të rrisin rrezikun e luftës. Megjithatë ekzistojnë ende dy skenarë të mundshëm. Njëri është zgjidhja e problemit me diplomaci, por shumë më të fortë se më parë. Tjetri është organizimi i një konference për Kosovën, një lloj “Dayton” i cili do të zgjaste deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj mosmarrëveshjeje.
Deri atëherë dilemat mbeten. Si do të vazhdojë situata në Kosovë? Si dhe kur zyrtarët nga Beogradi dhe Prishtina do të ulen në tryezën e bisedimeve ku tema kryesore e dialogut do të jetë një e re. A do të ketë modifikime të propozimit franko-gjerman apo evropian për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?
Po ashtu, ka një dilemë të madhe se kur do të formohet Asociacioni i Komunave Serbe. Ai është kusht që serbët të kthehen në institucionet e Prishtinës por edhe për vazhdimin e negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës?
Në dritën e ngjarjeve të fundit, Visar Imeri, drejtor i Institutit të Prishtinës për Politikë Sociale “Musine Kokalari” dhe ish-lider i “Vetëvendosjes” së Kurtit, beson se situata e fundit e krizës në Kosovë, si dhe lufta në Ukrainë, kanë ndikuar që fuqitë perëndimore të humbnin durimin me negociatat e Beogradit dhe Prishtinës, por edhe të ndryshojnë qasjen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Bisedimet u quajtën dialog sepse pritej që palët të arrinin një marrëveshje me njëra-tjetrën. Deri më tani marrëveshjet formalisht kishin atë natyrë, megjithëse kishte ndërmjetësim. Por tani kjo po ndryshon qartë. Parimi do të jetë “ky është një dokument, të dyja palët të bien dakord, kjo është ajo që keni kërkuar . Po kalojmë nga dialogu, në stilin e negociatave ku marrim dokumente të gatshme dhe na kërkohet që t’i pranojmë me mundësinë e pranimit të disa kundërshtimeve të vogla – tha Imeri për “Deutsche Vele”.
Meqë ra fjala, ndërmjetësuesit perëndimorë u siguruan serbëve një sërë lëshimesh për t’i dhënë fund krizës me barrikadat në veri të Kosovës. Së pari, ish-pjesëtari i policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, u lirua në arrest shtëpiak. Për shkak tij serbët bllokuan rrugët kryesore më 10 dhjetor pranë vijës administrative. Pastaj u lirua Nikola Nedeljkoviç nga Beogradi, i cili u arrestua në Vidovdan pasi u akuzua se gjoja kishte bërtitur “Vrite Shiptarin”.
Së fundi, SHBA-ja dhe BE-ja garantuan me një dokument të shkruar se serbët që ngritën barrikada në veri të Kosovës nuk do të arrestohen. Për shkak të kësaj, serbët vendosën t’i heqin barrikadat dhe në këtë mënyrë përfundoi kriza e fundit në serinë e 6 muajve të kaluar.
Megjithatë, nuk ka gjasa që në periudhën e ardhshme, si Beogradi ashtu edhe Prishtina të mund të presin lëshime të reja nga fuqitë perëndimore, të cilat po përpiqen të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje të re mes dy palëve, në mënyrë që krizat e shpeshta në Kosovë të mos u shndërrohen në një konflikt të hapur.
Ish-diplomati Srećko Gjukiç pret gjithashtu që BE dhe SHBA të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj negociatave të mëtejshme midis Beogradit dhe Prishtinës dhe të përshpejtojnë proceset që çojnë në një marrëveshje të re.
“Ka shumë supozime se Perëndimi do të ndryshojë metodologjinë e negociatave, sepse nëse dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbetet si më parë, do të kemi, para së gjithash, përpjekje nga të dyja palët që të ulen në tryezë një herë në 2 muaj. Në të njëjtën kohë, ata shpesh nuk pajtohen për asgjë. E ndërkohë në Kosovë shpërthejnë kriza të reja” – shpjegon Gjukiç për “Blic”.
Për këtë arsye, thotë ai, janë realiste dy skenarë sa u përket negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës. Njëri është vazhdimi i diplomacisë me mjete shumë më të ashpra dhe tjetri do të përfaqësonte një lloj “Dayton” për Kosovën.
“E para është diplomacia intensive ku zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së do të ndërmjetësojnë mes Beogradit dhe Prishtinës pothuajse çdo ditë. Skenari i dytë është udhëtimi i zyrtarëve nga Beogradi dhe Prishtina në Bruksel apo në ndonjë qytet tjetër evropian, madje edhe në SHBA, për të nisur negociatat nga ku nuk do mund të kthehen derisa të arrijnë marrëveshje” – thekson Gjukiç.
Ish-diplomati beson se mundësia e dytë nuk është e re në botën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Të njëjtën situatë kemi pasur edhe në rastin e Bosnjë Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Dejtonit. Prandaj mendoj se ky është një variant shumë real për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Sepse nëse kjo nuk ndodh, Perëndimi rrezikon një përshkallëzim edhe më të madh të krizës dhe përfundimisht një konflikt të hapur” – thotë Gjukiç.
Meqenëse pritet që temë e negociatave të ardhshme të jetë një propozim i ri, një modifikim franko-gjerman apo evropian për zgjidhjen e problemit të Kosovës, lind pyetja se sa i favorshëm është një dokument i tillë për Serbinë?
“Sigurisht që do ta pranoja pjesën e marrëveshjes që ka të bëjë me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore serbe. Për pjesën tjetër do të negocioja. Aq më tepër që nuk na kërkohet të pranojmë pavarësinë e Kosovës apo të hapim derën për hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kam frike se nëse nuk e pranojmë atë propozim, oferta e radhës do të jetë më e keqe sipas të njëjtit parim “merre ose lëre” – përfundon Gjukiç.