Viola Sterjo është lënë në burg nga gjykata e Korçës pasi u arrestua pak ditë më parë për mashtrim me pasoja të rëndë. 39-vjeçarja ish-punonjësja në administratë u vu në pranga pak ditë më parë, pasi arriti t’i marrë 344 mijë euro 4 bizneseve në Korçë dhe Pogradec. Sterjo nuk ka pranuar akuzat, duke pretenduar se nuk ka mashtruar njeri.
Viola Sterjo 39-vjeçare arriti të mashtrojë bizneset duke shfrytëzuar pozitën e saj dhe njohjet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për të dalë garant tek subjektet se do të fitonin projekte nga AZHBR-ja, me vlera financimi nga 1 milionë deri në 4 milionë euro. Prokuroria e Korçës e hetoi gjatë Sterjon dhe bazuar në provat e deritanishme gjykata e la në masë arresti me burg. 39-vjeçarja u arrestua në Tiranë ku edhe jeton.
Sipas dosjes që Report Tv e siguron, nga marsi i 2020-ës deri nëntorin e 2 viteve më parë, Viola Sterjo ka mundur të marrë në vlera të ndara monetare 344 mijë euro dhe 1 milion lekë.
Skema u zbulua pas 4 kallëzimeve. I pari ka ardhur nga një qytetar që kishte një pronë në Voskopojë dhe në të donte të ndërtonte një hotel. Ai përmes një të njohuri kishte takuar Viola Sterjon, e cila i kishte premtuar se do të ndërhynte tek AZHBR për të përfituar një grant. Fillimisht denoncuesi i ka dhënë Sterjos 57 mijë euro dhe 1.000.000 lekë.
Një tjetër denoncim është bërë nga një qytetar nga Pogradeci, sipas të cilit i ka dhënë Viola Sterjos në total 37 mijë euro për të ndërhyrë tek AZHBR që të përfitonte 1.2 milion euro grant për të ndërtuar një bujtinë. Denoncimi i radhës ishte i një korçari që i ka dhënë Sterjos 160.000 euro pas premtimit për nxjerrë fitues të grantit 2.2 milionë euro. Edhe pse i ka kërkuar lekët mbrapsht pasi nuk e kishte fituar projektin, 39-vjecarja i ka thënë se granti 2.2 milionë euro do të rritej dhe do të shkonte në 4.5 milionë euro.
Një tjetër qytetari i cili me dy ortakë do të ndërtonte një resort në Voskopojë Sterjo i ka marrë 90 mijë euro, duke e mashtruar se kishte bërë aplikim tek AZHBR për ndërtimin e resortit me vlerë 2 milionë euro. Nga totali 90 mijë euro, Sterjo i ka kthyer vetëm 20 mijë euro pasi ai kishte mësuar se në emër të tij nuk ishte bërë asnjë aplikim.
Përveç kallëzimeve, akuza ka siguruar komunikimet me mesazhe të saj me personat e mashtruar dhe fotokopje faturash të dërgesave të parave.
/e.d