Nga Rudina Koromani
Gara e jetës është më komplekse dhe e ngatërruar nga sa kategorizimet e thjeshtuara si “Fitues”/“Humbës” nënkuptojnë, teksa mendojmë se jeta e secilit prej nesh përbëhet nga një sërë garash që zhvillohen njëkohësisht në terrene shumë të ndryshme dhe me lloje të ndryshme kupash dhe medaljesh në formë e përmbajtje. Dikush garon për para, dikush për famë, dikush për prestigj por shumë prej nesh ndodhen në gara jo më më pak të rëndësishme: ringritja nga një ngjarje e hidhur jetësore, rehabilitimi nga një sëmundje, qëndrimi i qetë përballë një zhgënjimi, mbulimi i një thashethemi apo skandali për një mik të dashur, një familjar sakrifikues që jep dashuri tek fëmijët e tijpërtej lodhjes së përditshme fizike apo dikush që i buzëqeshësh jetës me mirënjohje edhe kur përjeton vështirësi.
Sakaq, kemi dhe garat moderne të kohëve që po përjetojmë, siç janë garat për sukses të menjëhershëm, të imazhit perfeksion dhe trendet e postimeve në mediat sociale, ku Privatësia po shitet me çmime marramëndëse, suksesi i të cilave matet sipërfaqësisht prej numrit të ndjekësve. Do kalojnë dekada e pasojat e këtyre trendeve do studjohen më mirë lidhur me implikimet klinike që kanë drejtpërdejt në jetën e individit, por për momentin le të ndalemi këtë fundviti për të bërë bilancin e “zbulimit” të privatësisë së tyre.
Thuhet se privatësia e dikujt lidhet me jetën intime dashurore të tij, me të ardhurat financiare dhe planet që bën për të ardhmen. E teksa shumë thënie filozofike mijëra vjeçare rekomandojnë privatësinë e këtyrë tre aspekteve me qëllim ruajtjen dhe mbarëvajtjen e tyre – publikimet në median e shkruar dhe atë vizive sa vijnë e zbulojnë gjithnjë e më shumë “sekrete të tilla”, sidomos për personat publikë, ndonëse këta të fundit ja kanë marrë dorën tashmë duke aktruar më së miri “ të vërtetat” private të jetës së tyre – duke treguar atë që duan të thonë:“Xhensila e puthi Besin e me këtë rast mbylli përkohësisht gojët e liga që thanë se do ndahen… “ apo “Shakira e gjeti kush ja hante reçelin…”
Fenomeni nuk kufizohet vetëm tek personat e Njohur Publikë, të cilët kanë marrë parasysh kostot e zbulimit të privatësisë së tyre për hir të profesionit që kanë, ku të jesh person publik të kushton privatësinë personale, trendi i “të treguarit të gjitha”përmes postimeve të mediave sociale ka përfshirë shumëkënd , të moshave të mëdha e të vogla, Facebook apo Tik Tok, Instagram apo Twitter. Më problematikë e jashtë kontrollit me postimet publike duket se janë ata/ato me çrregullime psikologjike, të cilët as nuk janë të vetdijshëm që i kanë këto probleme.
Por përtej arsyeve të publikimeve dhe problemeve që janë dhe nuk janë pas këtyre individëve, cila është kostoja e tyre?
Paragjykime, thashetheme, zhurma titujsh e lajmesh, fajësime të vërtetash e të pavërtetash, diskriminime, racizëm e ndasi në rritje, komente agresive ofenduese e në aspektin klinik individual: çrregullime ankthi, depresion i rënduar klinik, vetvrasje, konflikte, vrasje e ndarje/divorce që shoqërohen pothuajse gjithmonë me gjëndje të rënduar psikologjike të cilat shtohen e shtohen…
Ja vlen?
Vetëm se nuk është postuar në mediat sociale – nuk do të thotë se ju nuk keni një jetë sociale.
Të zgjedhësh të ruash privatësinë tënde, duke i përdorur mediat sociale në funksion të përmirësimit të punës e jetës përmes mosshfaqjes së privatësisë – thjesht ke zgjedhur të mos ja japësh askujt privilegjin për jetën tënde, duke shijuar plotësisht jetën që të përket vetëm ty. Të vijosh jetën me qetësi e të realizosh çdo objektiv të vendosur duke u ndjerë të vetmjaftueshëm, pa u mburrur, i kursen vetes paragjykime të kota konfliktuale e ofenduese nga individë që nuk dinë aspak për jetën e tënde e për vuajtjet e tua.
Ka një ndryshim të madh mes privatësisë dhe fshehtësisë/sekreteve… Të arrish të dallosh ndryshimin mes këtyre dy termave bën dhe diferencën për cilësinë e jetës për secilin prej nesh.
Fshehja e informacionit dallon nga dëshira për të qënë i pavëzhguar që nënkupton Privatësia, dhe lidhet specifikisht me ndjesitë e turpit dhe frikës për tu paragjykuar. Një person mesatarisht mban 13 sekrete në çdo moment, pesë prej të cilave nuk ia ka zbuluar kurrë një personi tjetër, tregojnë gjetjet e hulumtimit me qasje psikologjike të studjuesit Slepian.
Ndërkaq, privatësia, e përkufizuar si ” një e drejtë individuale për t’u lënë vetëm”, lidhet me dikë që krijon përvojën e tij jetësore pa perspektivën e syve të dikujt tjetër mbi të.
Por kujdes, nuk duhet ngatërruar “privatësia” që personat VIP shesin e fitojnë të ardhura financiare me privatësinë e vërtetë të individit, të cilët duke modeluar/ “gëlltitur” pavetdijshmërisht trendet moderne, jo vetëm që janë shumë larg të të qënurit Open Mind- siç disa syresh pretendojnë se janë “IN”, por, të futur si somnabul në ujra të panjohura, rriskojnë shëndetin e tyre mendor në terma afatgjatë .
Ashtu si nevoja për ndërveprim social përbën domosdoshmëri për të qëndruar të lumtur dhe të shëndetshëm, gjithashtu dhe nevoja për një shkallë të caktuar privatësie është shumë e rëndësishme për të mirëfunksionuar. Duke marrë parasysh se njohja e vetes mundësohet me të qëndruarin vetëm dhe larg syve të të tjerëve, kërkimi i privatësisë merr shumë rëndësi për mbajtjen e balancave të marrdhënieve tona sociale, ku ndarja e tepërt e informacioneve private mund të jetë një çështje kufijsh që shkakton gjithmonë probleme.
Zbulimi i informacioneve private me të tjerët, kërkon domosdoshmërisht krijimin e marrdhënieve të shëndetshme më të tjerët. Por, a ndodh kjo? Ndaluni për një moment në vrapin tuaj të përditshëm e në garat personale dhe mendoni: Sa të shëndetshme i keni marrdhëniet tuaja me të tjerët? A ja vlen ndarja e privatësisë tuaj teksa mendojmë rëndësinë e mirëqënies tonë?
Askush nuk mund të jetë fitues në çdo gjë. Edhe ata që na duken se i kanë marrë të gjitha trofetë, në të vërtetë kanë vuajtur e vuajnë humbjet në gara të tjera të jetës së tyre, për të cilat zakonisht nuk flitet shumë duke i fshehur e zhdukur çdo gjurmëtë tyre.
Nëse dikush nuk mund të jetë fitues në gjithçka, rrjedhimisht nuk mund të jetë humbës në gjithçka. Kur dështojmë në njëprovë të jetës, kemi mundësi të rikuperojmë fuqitë e tëaftësoshemi për një garë që as vet ne nuk e dimë se do ta fitojmë. Garat për famë e para mund të jenë të pamundura për dikë, por gara për një gjumë më të mirë pa ankth, për të mbajtur veten sa më shëndetshëm, për të bërë të lumtur familjarët tanë apo për të falur një miqësi pa kushte është e hapur gjithmonë për këdo e në çdo kohë.
Ti nuk je në garë me asnjë, përveçse me veten tënde… të arrish të thyesh e zgjerosh limitet e vetes tënde duke e rritur atë vazhdimisht nën një mirëqënie të shëndetit mendor e fizik të jep trofeun për të cilën duhet të ndihesh Fitues. Ndonëse secili bën bilancet e veta për zgjedhjet që bën, duke i marrë apo jo parasysh kostot, vendosja e prioritetit të mirëqënies psikologjike prevalon mbi çdo arritje: kur arrijmë të kemi paqe e dashuri brënda vetes, kur arrijmë të mbajmë sensin e humorit edhe pas një gjunjëzimi, kur arrijmë të jemi mirënjohës, të falim, të vlerësojmë çdo kritikë që mundëson rritjen tonë – janë të gjitha fitore për të cilat duhet të ndihemi krenar nëse ende i kemi.
Gëzuar Vitin e Ri 2023 për më shumë Privatësi Mbuluar!