Të paktën 30 fëmijë kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar nga “Strep A” që nga 19 shtatori. Në total, 122 persona kanë vdekur në Angli nga infeksioni bakterial, sipas të dhënave e Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar (UKHSA), sipas BBC.
25 prej tyre ishin nën 18 vjeç ndërsa 3 fëmijë kanë humbur jetën në Irlandën e Veriut dhe Uells. Të mërkurën, Shëndeti Publik i Skocisë konfirmoi vdekjen e dy fëmijëve.
Step A mund të shkaktojë shumë infeksione të ndryshme, duke përfshirë infeksionin e lëkurës impetigo, i cili shkakton plagë, ethe të kuqe dhe probleme me fytin. Ashtu si shumica e sëmundjeve të frymëmarrjes, ajo është sezonale, ku shumica e infeksioneve zakonisht ndodhin gjatë muajve të vjeshtës dhe të dimrit.
Ndërsa shumica e rasteve janë relativisht të lehta, ndonjëherë streptokoku mund të shkaktojë një infeksion invaziv streptokoksik të grupit A që është i rrezikshëm për jetën (iGAS).
Dy nga format më të rënda, por të rralla të iGAS janë fasciiti nekrotizues, i njohur gjithashtu si “sëmundja mishngrënëse” dhe sindroma e shokut toksik streptokoksik që mund të shkaktojë presion të ulët të gjakut dhe dëmtim të organeve.
UKHSA regjistroi 151 raste iGAS tek fëmijët e moshës një deri në katër vjeç midis 19 shtatorit dhe 25 dhjetorit, në krahasim me 194 raste në të njëjtën grupmoshë përgjatë gjithë sezonit 2017-2018, periudha e fundit me shkallë të ngjashme të infeksionit.
Agjencia shëndetësore tha se infeksionet me iGAS mbeten të rralla dhe shumica e rasteve vazhdojnë të jenë në moshën mbi 45 vjeç.
/e.d