Të burgosurit shqiptarë në burgjet britanike do të transferohen në atdhe për të vuajtur dënimin e tyre. 50 të burgosur, nga 1,336 në total, tashmë kanë dalë vullnetarë për t’u transferuar nga burgjet britanike në ato shqiptare si pjesë e marrëveshjes së re mes 2 vendeve.
10 të burgosurit e parë pritet të deportohen me avion çarter gjatë javëve të para të muajit janar. Lajmi është bërë me dije na tabloidi britanik ‘DailyMail’, i cili citon një burim nga ministria e Drejtësisë.
“Ne kemi kapacitete të kufizuara në burgjet tona. Por për të treguar se jemi gati të përmbushim detyrimet tona ndaj Britanisë së Madhe, ne kemi rënë dakord të presim 50 shqiptarë që kanë shprehur gatishmërinë për t’u kthyer”, shtoi burimi.
Referuar shkrimit, shtetasit shqiptarë përfaqësojnë rreth 10% të të huajve të mbajtur në burgjet angleze dhe të Uellsit. Ky grup ka rënë dakord për t’u kthyer në atdhe për të vijuar dënimin e mbetur, mirëpo sipas marrëveshjes Shqipëri-MB, transferimi i të tjerëve që nuk kanë dalë vullnetarë, do të transferohen pa pëlqimin e tyre. Pakti thotë se Shqipëria duhet të marrë sigurinë se dënimi i përshtatet krimit të tyre përpara se të jepet “drita jeshile” për t’u transferuar.
Mes 1,336 të burgosurve shqiptarë që janë në burg dhe kanë dënimin më afatgjatë është edhe ish-punonjësi i garazhit, Koci Selamaj, 37 vjeç. Ai goditi Sabina Nessa-n ndërsa ajo ecte nëpër një park në Londër në shtator 2021 dhe më vonë u burgos për 36 vjet. Një tjetër i burgosur është Ali Qazimaj , 48 vjeç i dënuar me 35 vjet në 2017 për vrasjen e Peter Stuart, 75 vjeç. Mes ‘mbretërve të drogës’, të burgosur janë Valjet Pepaj, 32 vjeç, me 27 vjet burg, Erald Mema, 37, 25 vjet burg dhe Sami Qerkini, 57 vjeç, i dënuar me 20 vjet. Plani është që të gjithë, në të ardhmen, do të vuajnë dënimin e mbetur në atdheun e tyre.
Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria arritën një marrëveshje fillestare për transferimin e të burgosurve në korrik 2021.Kuvendi i Tiranës ratifikoi paktin dy muaj më vonë, por, sipas burimeve shqiptare, citon DailyMail, burokracitë penguan efektivitetin e marrëveshjes.
/e.d