Deputeti Oerd Bylykbashi dhe sekretari organizativ i Partisë Demokratike Eno Bozdo, po ndiqen penalisht nga prokuroria e Tiranës, pasi policia e kryeqytetit ka nisur një relacion hetimor, lidhur me protestën e 8 dhjetorit 2015. Relacioni është dërguar pak ditë më parë në prokurorinë e Tiranë, kjo pasi gjatë kësaj kohe policia ka mbledhur dhe analizuar të gjitha faktet ligjore që ka pasur ndaj zyrtarëve të Partisë Demokratike dhe militantëve të saj, për protestën e dhunshme të dhjetorit 2015.
Në relacionin e policisë është dhe Besim Ndregjoni, nën/kryetar i një shoqate të të përndjekurve politikë, ndaj të cilit policia ka referuar material hetimore në prokurori për akuzën e “Thirrjes publike për përhapjen e dhunës” dhe Organizimit të tubimeve apo manifestimeve të paligjshme. Një akuzë e tillë mësohet të jetë ngritur dhe për deputetin e PD Oerd Bylykbashi dhe sekretarin organizativ të PD Eno Bozdo, pasi këta të fundit mësohet të kenë paraqitur kërkesën në polici, për të marrë lejë lidhur me protestën që subjekti politik Partia Demokratike do të zhvillonte në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para kryeministrisë.
Sipas relacionit të policisë Tiranë, dy përfaqësuesit e PD duhet të ndiqen penalisht pasi kanë zhvendosur vendin e tubimit, duke shtuar se protesta e opozitës ka nisur në bulevard para kryeministrisë dhe më pas është zhvendosur në sheshin përballë ministrisë së Brendshme, ku për disa orë protestuesit e PD, kanë shembur një objekt betoni “Bunker” me mjete të forta. Nisur nga kjo situatë, orari i protestës është zgjatur tej mase, ndryshe sa ishte parashikuar dhe lejuar nga policia e Tiranës. Sipas bluve të kryeqytetit për këtë situatë duhet të mbajnë përgjegjësi penale Eno Bozdo dhe Oerd Bylykbashi, të cilët nuk i janë përmbajtur në mënyrë të saktë rregullave të protestës paqësore, ashtu siç kishin pretenduar në kërkesën e tyre.
Në prokurorinë e Tiranës aktualisht është duke u zhvilluar dhe një hetim për falsifikim dokumenti, pasi mendohet se gjoba prej 163 milionë lekë të vjetra që i është vendosur PD nga bashkia e Tiranës është e falsifikuar. Kjo gjobë është vendosur me motivacionin e dëmtimeve në hapësirat publike, që militantët e PD kanë kryer në rrugët e Tiranës. Disa akteekspertimi që tregojnë vlerën e dëmit të shkaktuar gjatë protestës së PD dhe disa fatura pagese të kryera nga ana e Bashkisë së Tiranës, janë administruar në dosjen penale, që prokuroria po heton lidhur me gjobën administrative që bashkia e Tiranës ka vendosur ndaj subjektit politik “Partia Demokratike”. Në këto akte ekspertimi që janë kryer nga ana e ekspertëve të ministrisë së Brendshme, përcaktohet dhe shifra e saktë e dëmit financiar të shkaktuar nga demostruesit e opozitës në muajin nëntor të 2015.
Ekspertiza grafike kryer shkrimit që ka përpiluar gjobën 163 milion lekë të vjetra kundër Partisë Demokratike, ka dalë në konkluzjonin se, gjoba e bashkisë së Tiranës është e falsifikuar. Me këtë konkluzjon është njohur dhe prokuroria e Tiranës, e cila ka nisur hetimet pas kallëzimit penal që ka bërë inspektori i Policisë Bashkiake Besmir Karaj. Hetimet tashmë kanë nëvejojë për pyetjen e eprorëve të Karajt, duke filluar nga Drejtori i Policisë Bashkiake, shefja e kabinetit pranë kësaj bashkie e më tej. Nëse është e nevojshme,thonë hetuesit do të merret në pyetje edhe kreu i bashkisë Veliaj. Sipas aktekspertimit krahasues dhe grafik, rezulton se shkrimi i gjobës gjobë nuk është i punonjësit të Policisë Bashkiake Besmir Karaj.
Shqiptarja.com