Nga Ylli Pata
Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e disa shoqatave të diasporës, për të intepretuar ligjin themeltar të vendit, për ta konkretizuar votën në vendet ku ata jetojnë.
Në një vendim të para një jave, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese ka refuzuar të kalojë për shqyrtim kërkesën e shoqatave të diasporës, që kërkonin që Kuvendi të urdhërohet për të plotësuar draftin ligjor për ta bërë të mundur këtë çështje.
Pas këtij vendimi, tashmë është edhe venitur edhe më shumë shpresa për një aktivizim të shtetit për t’I dhënë mundësinë emigrantëve të votojnë në vendet e tyre.,
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në argumentet e tij thekson se e drejta për emigrantët është e garantuar dhe shteti duhet të lehtësojë ardhjen e tyre ditën e voimeve në Shqipëri.
Sipas organizatës kërkuese në Kushtetuese, “Megjithëse Kodi Zgjedhor për herë të parë parashikoi votimin nga jashtë, ky parashikim mbeti i pazbatuar për shkak të mosmiratimit të akteve nënligjore, duke iu kufizuar kështu të drejtën aktive të votës shqiptarëve me banim jashtë territorit të Shqipërisë”.
Kurse argument i Kolegjit thekson se “Shtetasit shqiptarë emigrantë gëzojnë liritë dhe të drejtat politike, të parashikuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar në fuqi, duke marrë pjesë aktive në jetën politike të vendit. Shteti krijon lehtësi për emigrantët që kthehen në atdhe për të ushtruar të drejtën e votës në zbatim të Kodit Zgjedhor.”.
Kolegji i përbërë nga Marsida Xhaferllari, Ilir Toska, dhe Fiona Papajorgji, nga ana tjetër kanë vlerësuar se shoqata nuk e ka tagrin e plotë ligjor që të përfaqësojë një çështje në institucionin që intepreton ligjin themeltar të shtetit.
Sipas Kushtetueses, është KQZ-ja ajo që ka në dorë për ta vulosur procesin e votës së emigrantëve dhe menjëherë kur ajo kryhet, merr formë të plotë në ço zgjedhje tjetër.
“KQZ-ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së.”.
Në fakt, e gjithë kjo shprehje e Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese është një fakt de jure, por deri tani askush nuk po e zbaton këtë vendim. Ndaj Gjykata Kushtetuese, me një vendim apo shprehje të saj mund të kishte vënë para detyrimin, si Kuvendin ashtu edhe Komisionin Qendror.