Gazetari serb, Ivan Maksimoviç, i cili jeton në veri të Kosovës, ka kritikuar patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirijen, për ndalimin e hyrjes së tij në Kosovë.
Gazeta Express shkruan se në artikullin e shkruar nga Maksimoviç, gazetari i ka drejtuar një pyetje patriarkut Porfirije: Në çfarë “Krishtlindjesh” në Kosovë shkoi Porfirje më 26 dhjetor? Me cilët serbë do të festonte një “Krishtlindje” të tillë?
Me këtë rast, ai ka rikujtuar patriarkun se “Krishtlindjet” ortodokse nuk festohen më 26 dhjetor, por më 6 janar.
“Ngjarjet e lidhura me Patriarkun Porfirije, gjoja ndalimin e hyrjes në Kosovë, kanë për qëllim vetëm mashtrimin e publikut vendas dhe asgjë tjetër. Në çfarë “Krishtlindjesh” në Kosovë shkoi Porfirje më 26 dhjetor?
Me cilët serbë do të festonte një “Krishtlindje” të tillë? Edhe më e rëndësishme se kaq, si ka mundësi që Kosova është “shtëpia” e patriarkut dhe as që i shkon mendja se çfarë ndodh në “shtëpinë” e tij me njerëzit e tij, besimtarët e tij?
Sigurisht, kjo është një çështje krejtësisht imagjinare. Përgjigja për këtë pyetje është e thjeshtë, ose më saktë ka dy përgjigje,” pjesë nga shkrimi.
Ivan Maksimoviç, njihet si një gazetar nacionalist serb, dhe ka marrë disa here kërcënime nga autoritetet e Listës “Srpska”.