39-vjeçarja Viola Sterjo u arrestua të mërkurën nga policia e Korçës, pasi u kishte marrë shuma të mëdha parash me premtimin se do të përfitonin fonde për ndërtimin e hoteleve dhe resorteve. Sterjo ka kërkuar shuma parash duke premtuar që do të ndërhynte për të marrë grantin tek AZHBR.
Por drejtuesja e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Eranda Selmanaj, ka reaguar për Klan News ku thotë se institucioni që drejton distancohet nga ky rast. Ajo mohon që Sterjo të ketë pasur ndonjë lidhje ligjore apo institucionale dhe kontakte me AZHBR.
“AZHBR në fakt është vënë në dijeni të rastit të shtetases Viola Sterjo gjatë ditës së djeshme nëpërmjet medias në dijeni të këtij lloj abuzimi që ajo ka bërë për shkak të pozicionit që ka patur. Më konkretisht ka shfrytëzuar pozicionin e saj publik për të ndikuar në institucionet shtetërore. AZHBR distancohet nga ky rast, që do të thotë, nuk ka asnjë lloj lidhje ligjore, apo lidhje të ngushtë me këtë shtetase në asnjë lloj bashkëpunimi, që do të thotë, asnjë lloj marrëdhënie institucionale apo kontakt për AZHBR me shtetasen e mësipërme, e cila ka rezultuar tashmë si mashtruese për fondet e AZHBR. Ajo ka përdorur emrin e AZHBR, por në të vërtetë nuk ka asnjë lloj lidhje, të paktën sipas institucionit ku ne ndodhemi tani. Pra kjo shtetase nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi dhe asnjë lloj lidhje me këtë institucione që do të thotë gjithçka ka qenë mashtrim i saj”, raportoi gazetari Maksi Rama.
AZHBR ka thënë për Klan News se zbaton me korrektësi dhe transparencë të plotë çdo kriter të përcaktuar nga ligji.
“Zbatohet me korrektësi dhe transparencë të plotë çdo kriter të përcaktuar nga aktet ligjore dhe nënligjore për dhënien e financimit në programet që zbaton, pra çdo lloj programi që jepet, çdo lloj projekti që lëshohet në bashkëpunim me AHZBR ka një sërë hallkash që ndiqen në mënyrë ligjore dhe procedurale dhe është e pamundur që këto gjëra të kalojnë në mënyrë fiktive siç ka ndodhur me shtetasen e mësipërme, e cila ka pretenduar se ka lidhje me këtë institucion. Gjithmonë AHZBR, siç thuhet nga ky institucion zbaton në përpikmëri aktet procedurale dhe ligjore”, raportoi gazetari.
Sipas gazetarit, Sterjo ka shfrytëzuar pozicionet e mëparshme të punëve duke “u shitur” sikur ka lidhje me këto institucione.
“Prej shumë vitesh nuk ka patur kontakt direkt me këtë institucione. Ato fonde që ka pretenduar se mund t’i ofrojë apo ndërhyjë kanë qenë fiktive”, raportoi gazetari.
Viola Sterjo dyshohet se arritur të përfitojë shumën 365 mijë Euro me premtimet e rreme.
/a.r