I ftuar mëngjesin e së enjtes në “Ditari” në A2 CNN, deputeti demokrat, Xhelal Mziu, u shpreh se, edhe pse nuk u arrit unifikimi i qëndrimit për të pasur kandidatë të përbashkët për zgjedhjet e 14 majit të vitit të ardhshëm, ekziston mundësia që një gjë e tillë të bëhet, por duke bërë disa arnime, apo ndryshime të kandidatëve të zyrtarizuar deri më sot.
“Duke marrë shkas nga bashkëpunimi, ose më saktë nga përcaktimi i dy personave, që do të ishin negociatorë, siç ishin z. Bardhi dhe z. Paloka, të cilët pothuajse shkuan drejt unifikimit të qëndrimit për të pasur kandidatët e përbashkët, por pa ndonjë arsye të fortë nuk u arrit që të konkludohej, unë them që ekziston mundësia dhe kjo mundësi mund të shfrytëzohet duke bërë edhe disa arnime, disa ndryshime të kandidatëve që kanë dalë deri më sot.”
Xhelal Mziu
“Edhe në komunikimin që unë bëj me grupimin e z. Alibeaj, edhe ata janë dakord me një pjesë të konsiderueshme të kandidatëve që mund të përfaqësojnë të gjithë PD-në, apo opozitën e bashkuar, por ndërkohë ka edhe disa kandidatë të tjerë, të cilët nuk janë pjesë e konkurrimit, por që mund të na përfaqësojnë denjësisht. Në të gjitha komunikimet që ne bëjmë, janë të gatshëm për të gjetur këtë lloj modaliteti bashkëpunimi, që në disa bashki të përdoret ose instrumenti i sondazhit, ose i opinionit që jo vetëm të jenë të përfaqësuar thjesht për të pasur një emër, por persona, të cilët sot mundet të jenë të propozuar apo të papropozuar, ose që s’kanë marrë pjesë në Foltore, eksponentë ose politikë, ose publikë, të cilët realisht e maksimalizojnë votën, që kanë aksione më të mëdha. Janë të identifikuara pak a shumë se kush mund të jenë ato zona, por besoj që muaji janar do të jetë objekt bisede për të konkluduar te këta persona që mund të jenë kandidatët e përbashkët për datën 14 maj.”
Xhelal Mziu
/a.r