EKSKLUZIVE/ Tirana i është bashkuar grupit të klubeve të vogla europiane që kërkojnë të ulen në tryezën e pasur të të mëdhenjve, e cila deri pak kohë më parë ka qenë “e ndaluar”. Klubi bardheblu ka marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Klubeve Europiane (ECA), zhvilluar në Paris më 8-9 shkurt, me pjesëmarrjen e 143 klubeve. Anëtarë të kësaj Asmableje janë edhe Skënderbeu e Vllaznia, por këto të fundit nuk kanë marrë pjesë.
Eduard Gjini, i dërguari bardheblu në Asamblenë e Parisit, tregon për JavaNews se klubet kanë diskutuar një numër çështjesh, ku financat zënë pjesën kryesore, ndonëse u diskutua edhe për mjaft aspekte të tjerë, si sistemi juridik, transferimet e lojtarëve, zhvillimi i lojtarëve të rinj e të tjera.
Për shumë vjet, aktivitetet kryesore të klubeve, por edhe ato të kombëtareve, kanë qenë thuajse të paarritshëm për vende me futboll më pak të zhvilluar.
“Në ditën e parë të Asamblesë nuk morën pjesë klubet e mëdhenj, por vetëm klubet e vegjël. Që të gjithë kërkuam që të shihet mundësia e ndryshimit të skemës, për të krijuar më tepër shanse edhe për klube që deri tani nuk kanë arritur të kualifikohen”, thotë Gjini.
Shembulli është Skënderbeu, i cili, falë formulës së re të aplikuar nga uefa, arriti të dilte deri në play-off në Champions League, ku eliminimi nga Dinamo Zagreb nuk ishte i hidhur, përkundrazi. Skuadra korçare siguroi kualifikimin në fazën e grupeve në Europa League, falë zotësive të saj, por edhe falë një formule më liberale. Po ashtu, ndryshimi në formulën e kompeticionit solli edhe kualifikimin historik të Shqipërisë në finalet e Euro 2016.
“Rasti i Skënderbeut, i Shqipërisë, apo edhe i disa klubeve të tjerë jo të mëdhenj na bëjnë që të pretendojmë më tepër”, thotë Gjini. “Këto raste tregojnë se ekzsitojnë mundësitë që të arrijnë në fazën e grupeve, në Champions apo Europa League, edhe klube të tjera të këtij rangu. Ndaj grupi ynë i punës përpiloi kërkesën për ndryshim skeme”.
Kërkesa u paraqit në ditën e dytë të punimeve, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e klubeve më të mëdhenj të Europës.
“Ne nuk paraqitëm ndonjë model skeme, por thjesht kërkesën që të ndryshohet skema. Detaje të tjera, se si mund të bëhet, do të shqyrtohen në takimet e tjera, ndoshta që në takimin e radhës, i cili është në mars”, sqaron Gjini.
Ndërkaq, një lajm i mirë për sa u përket financave tashmë ka ardhur.
“Sekretari i Përgjitshëm i UEFA-s, Gianni Infantino, na bëri të ditur se çdo klub do të përfitojë nga lojtarët që kanë marrë pjesë me kombëtaret në kualifikueset e kampionatit europian”, tha Gjini.
Në kualifikueset e mbyllura vitin e shkuar, Tirana ka pasur dy lojtarë me kuqezinjtë dhe një me Maqedoninë. Nga aktivizimet e tyre, klubi bardheblu do të përfitojë 32 mijë euro.
Në dy ditët e Asamblesë, Gjini është takuar edhe me mjaft përfaqësues të klubeve, duke dokumentuar gjithçka me foto në faqen e tij në Facebook.
“Nuk ishin takime zyrtare, thjesht takime kortezie me personazhe të njohur të futbollit”, thotë drejtuesi i bardhebluve.
“Disi më gjatë bisedova me Andrea Agnellin e Juventusit, nisur edhe nga fakti që ai e di mirë që bardhezinjtë kanë shumë tifozë shqiptarë, si në Shqipëri, ashtu edhe nga ata që kanë emigruar në Italinë e veriut e që shkojnë shpesh në stadium. Ishte vërtet i përqendruar te ndeshja me Napolin dhe i urova fitoren”, rrëfen Gjini.
Ai tregon edhe një detaj që i ka bërë mjaft përshtypje lidhur me të dërguarit e klubeve europiane.
“Pashë që të dërguarit e klubeve rivale nuk afroheshin me njëri-tjetrin. Ata të Juventusit nuk u afruan me të Interit, as të Realit me të Barcelonës, të dy klubeve të Mançesterit apo të Benfikës me Porton. Sigurisht që ishin njerëz korrektë, por nuk preferonin praninë e njëri-tjetrit”, thotë Gjini.
Sikur Skënderbeu e Vllaznia të kishin dërguar njerëzit e tyre, me siguri që në Le Grand Hotel Intercontinental të Parisit do të ishte formuar një treshe e këndshme shqiptarësh…
JavaNews/ Dritan Ikonomi