Artan Hoxha ka folur për kokainën e kapur në Fier, ku ishte i përfshirë Viktor Cervanaku, ish kryetar i komunës Frakull dhe zyrtar në një institucion shtetëror.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha deklaroi se pronari i vërtetë i kokainës nuk u kap, ndërkohë që sqaroi se operacioni u bë i mundur vetëm për shkak të përfshirjes së DEA dhe partnerëve. Hoxha deklaroi gjithashtu se në Shqipëri ekzsiton një laborator kokaine dhe se autoritetet i kanë vajtur afër, por ende nuk e kanë zbuluar.
“Fieri është hambari kryesor në rang vendi i votave për të majtën. Ka qenë, është dhe do të mbetet. Çervanaku ka qenë përfaqësues i pushtetit lokal, ka qenë përfaqësues politik, kishte ikur nga andej dhe kishte ardhur në Tiranë si drejtor. Ai ka patur në dorë para publike dhe ka bërë para. Ajo shtëpia në Frakull, rrinte mbyllur.
Ajo që tërhoqi vëmendjen e amerikanëve, nuk ishte thjesht ngarkesa prej 430 kg, por mënyra që kishin përdorur. Kimisti ka qenë brenda territorit shqiptar. Po të mos ishin amerikanët, një avokat i mençur mund të thoshte ku e keni kokainën, sepse pleh është ai. Nuk e di si do ta kthejë SPAK-u në kokainë, sepse nuk ka kimist. E kanë provën sepse ua kanë dhënë amerikanët. Është provë e DEA-s dhe jo e jona, sepse ne nuk kemi laboratorë. Ky operacion është forma se si duhet luftuar krimi i organizuar.
Kam dyshime të mëdha, që pronarët e vërtetë të ngarkesës ende nuk kanë dalë në lojë. Këta që folën nëpër telefona, këta kanë marrë përsipër ta kalojnë në doganë sepse kanë njohjet me pushtetin, por nuk janë këta pronarët e vërtetë.