Gara për Avokatin e Ri të popullit do të rihapet sërish duke e mbajtur këtë institucion peng të pakteve politike.
Me nisjen e sesionit të ri parlamentar në janar, kuvendi i Shqipërisë do të duhet të rihapë aplikimet për kandidatët, pasi mazhoranca dhe opozita nuk gjetën konsensus për 84 votat që i duheshin propozimit të demokrateve, Ledion Brahos për të qenë pasardhësi i Erinda Ballancës.
Deputetët e opozitës tërhoqën firmat për kandidatët e tjerë duke i siguruar mbështetjen vetëm një emri, Avokatit Ledio Braho.
Por, deklarata e prerë e kryeministrit Edi Rama në seancën e 22 dhjetorit se nuk do të votojnë për një avokat partie, ndryshoi tërësisht rrethanat për një proces, i cili u mendua se ishte drejt finalizimit.
Ndonëse më herët Taulant Balla e kishte cilësuar si një kandidaturë të pranueshme.
Qëndrimi i prerë kryeministrit erdhi pas akuzave të deputetit demokrat Gazmend Bardhi se kjo ishte një skemë e mazhorancës për të shkëmbyer votat e opozitës pro Ardian Dvoranit si anëtar të gjykatës kushtetuese.
Tashmë që kandidaturat e mbështetura me firmë nga deputetët kanë rënë, kuvendi duhet të shpallë sërish një afat për pranimin e kandidaturave, e më pas aplikantët, siç parashikon ligji do të pyeten në seanca dëgjimore nga komisioni i ligjeve, që verifikon edhe përmbushjen e kritereve për kandidim.
Në fund të seancave dëgjimore, komisioni miraton një listë me kandidatët dhe vlerësimet përkatëse por secili prej tyre duhet të marrë edhe mbështetjen e të paktën 28 deputetëve në mënyrë që emri të kalojë për votim në parlament.
Opozita, e cila sipas traditës parlamentare është ajo e cila propozon emrin e avokatit të popullit duket të fillojë të mendojë sërish për një tjetër emër, që siç ka kërkuar mazhoranca të jetë një emër konsensual e jo zgjatim partie.
Avokati i Popullit duket se do të mbesë sërish peng i pakteve politike, duke bërë kështu që Erinda Ballanca të vijojë në krye të këtij institucioni, si avokati i popullit me jetëgjatë në ushtrimin e detyrës.
/s.f