Klodian Lekocaj, 46 vjeç, një personazh kontrovers është kthyer në qendër të vëmendjes vitet e fundit për shkak të etiketimit nga media greke si Kreu i së ashtëquajturës “Mafia e Burgjeve”.
Se sa realisht ai është i tillë, kjo nuk dihet, pasi vetë ai në daljet publike në media e konsideron veten “të varfër”, “të pafajshëm”, “të përdorur” ndërkohë që faktet, dëshmitë dhe përgjimet që disponon policia greke të çojnë drejt mendimit se realisht Lekocaj ka pasur dhe ka ende një rol të rëndësishëm në botën e nëndheshme të grupeve kriminale shqiptare dhe greke.
Pak ditë më parë forcat speciale të policisë EKAM i bënë një tjetër “vizitë” në qeli atij, me qellim gjetjen e ndonjë provë për vrasjen enigmatike të 18 majit në Athinë, ku u ekzekutuan Kreshnik Cercizaj dhe Armando Ogranaja. Lekocaj nuk ka se si të jetë ekzekutor se ka vite i burgosur, por shpesh nepër përgjime e dëshmi ka dalë se çuditshëm ka lidhur fije të grupeve kriminale duke u vënë ose atyre ose vetes në dispozicion vrasës me pagese.
I tillë ishte dhe rasti i disa muajve më parë, kur në 14 shtator policia greke arrestoi rastësisht dy shqiptarët Viktor Çala 39 vjeç dhe Andi Beqiri 23 vjeç. Ata u kapen në Athinë, pasi në automjetin e tyre u gjetën të fshehura 2 Kallashnikovë dhe 1 thikë, ndërsa në banesë 1 pistoletë.
Hetimi i policisë zbuloi se Çala ishte autor i vrasjes së një greku dhe tentativës së vrasjes së një shqiptari, të dyja ngjarje të ndodhura në muajin korrik. Për vrasjen e grekut ai deklaroi se ishte urdhëruar nga Klodian Lekocaj, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Kështu “Klodit”, i cili në kartelat greke njihet edhe si “Luli” apo “Ilia” i’u shtua se fundmi edhe një akuzë tjetër pas akuzave të mëparshme për urdhërimin e vrasjeve të Avokatit grek Mixalis Zafiropoulos, të të burgosurit Arber Bako, të të burgosurit Bardhyl Tusha, ndihmë në arratisjen e të burgosurve Leonard dhe Elvis Pepa etj.
Klodi në fakt veç urdhrave, ka precedentë dhe si autor i drejtpërdrejtë. Fillimisht është arrestuar në 1997 për vjedhje. Në 2003 ishte arratisur nga Burgu i Volos ndërsa në 2005 në Agio Pantaleimona plagosi me armë zjarri në bark një shqiptar e më pas në të njëjtin vend në 2006 bashkë me dy shqiptarë plagosi me thikë një bashkëkombës të tijin. Në 2013 u arrestua për trafik droge dhe vjedhje dhe u dërgua në burgun e Korfuzit ku pasi mori leje u arratis në 2014 dhe pas disa ditësh bashkë me Arber Bakon mori pjesë në tentativën e grabitjes me pasojë plagosjen e një egjiptiani ndërsa në 31 tetor 2014 bashkë me Arbeb Bako, Olti Dulce dhe një polak kryen një vrasjen në zonën e Metaksurgios. Përfundimisht Lekocaj u arrestua në nëntor 2014 në Sepolia, në shoqerinë e Dhimo Mecit, një gjirokastrit i përfshirë në disa vrasje me pagesë në Greqi dhe që në momentin e kapjes ishte person në kërkim. Arrestimi i tyre erdhi pas ngjarjes se Mikrolimanos ku Arber Bako me një Kallashnikov plagosi disa kliente të një lokali në zonë.
Vrasja e Ari Papës, a ka gisht Lekocaj?
Mediat greke dje zbuluan se policia po heton mundësinë që i njëjti person që ka ekzekutuar Kreshnik Cercizaj dhe Armando Ogranaja, të ketë marrë pjesë dhe në vrasjen e Ari Papa në maj 2021 në Sepolia dhe të Dikenc Halili në tetor 2021 në “Agio Pavlo”.
E ndërsa për Halilin nuk dihet shume përfshirja e tij në botën e errët, Papa ka qenë një ish i dënuar për droge e grabitje, i përfshirë në një bandë gjakatare vrasësish në vitet 2007-2008, i dyshuar për vrasje me pagese dhe atentate në Greqi e Shqipëri, ndërkohë që ndërroi jetë në atentatin e katërt të kryer ndaj tij. Vrasja e tij mbetet e pazbardhur por “BalkanWeb” sjell sot një dëshmi të një gardiani grek në gjyqin ndaj Lekocajt për krimet e tjera të kryera ndaj tij. Gardiani rrëfen se Lekocaj i kishte kërkuar tranferimin e një të burgosuri, emrin të cilat mediat greke e japin me iniciale, por që është zbuluar se bëhet fjalë për Ari Papen, të cilin Klodi kërkonte ta vriste.
Lekocaj i kishte thënë gardianit se nëse nuk vriste Papën, do i vrisnin nënën. Pikërisht kjo e fundit pas vdekjes se djalit akuzoi në media se vrasja e tij ishte urdhëruar nga burgu. A ka gisht Lekocaj, apo biseda e tij me gardianin në 2017, pra 4 vjet para vrasjes se Papës ishte një rast i izoluar? A ishte paguar Lekocaj nga të tjerë për të hequr qafe Arin, për të cilin janë kryer 4 atentate? A i ka gjetur Lekocaj vrasësin me pagesë që ekzekutoi krimin e majit 2021? Të gjitha këto nuk dihen dhe ende nuk janë vërtetuar. Sipas dëshmisë së Antonis Aravantinou, lideri i dyshuar i mafias, i cili shantazhoi të burgosurin Aristides Floros për t’i zhvatur para, e ka shantazhuar edhe atë vetë pasi besonte se po e mbronte biznesmenin duke e mbajtur në Psikiatrinë e burgut.
Ai kujton se të njëjtën gjë Lekocaj i ka bërë dhe për të burgosuri A. P, për të cilin mediat thonë se është Ari Papa. Më poshtë po sjellim dëshmië e 19 marsit 2019 të gardianit Antonis Aravantinou:
“Më kujtohet një kohë në mesin e vitit 2017, kur në komunitetin e të burgosurve dhe te psikiatrisë u bë më e njohur se Lekocaj kishte njëfarë lidhje me Floro, gjë që ishte arsyeja që Floro të qëndronte në një institucion psikiatrik.
Gjatë asaj kohe më telefonoi Lekocaj dhe duke konfirmuar përfshirjen, më kërkoi shpjegim se pse Floro qëndron në spitalin psikiatrik dhe unë nuk e dëboj, përkundrazi e mbroj atje, për pasojë ai nuk mund ta shantazhonte dhe t’i merrte paratë e tij. Dhe sipas tij duhet ta bëja patjetër këtë. Unë i thashë “hej, e ke filluar sërish të njëjtën gjë?”, “të njëjtën gjë që thoje për A. P ”? Ia thashë këtë, sepse disa kohë më parë më kishte marrë sërish në telefon dhe më kishte thënë që ta nxirrja nga spitali psikiatrik këtë të burgosur, se atje kam mësuar t’i mbrojë dhe ai nuk mund ta vriste atje. Dhe nëse nuk e nxjerr jashtë, ai do të detyrohet të vrasë nënën e tij dhe ky do të jetë faji im. Të dyja herët, është e vërtetë, biseda jonë përfundoi me sharje nga të dyja palët, me refrenin e vazhdueshëm të Lekocajt: “Unë për hatrin tënd them kështu”.
Ne 1 qershor 2021, “Ta Nea” zbuloi se A. P për të cilin Lekocaj kërcënonte gardianin se nëse nuk e nxirrte nga psikiatria që ai ta vriste, se ndryshe do detyrohej t’i vriste nënën, ishte pikerisht Ari Papa.