E vështirë të besohet, por Vladimir Putin duket se ka shkelur ligjet e shtetit Rus. Gjatë një fjalimi, presidenti përdori fjalën “luftë” për t’iu referuar konfliktit në Ukrainë, hera e parë që ai devijon publikisht nga përshkrimi i tij i hartuar me kujdes i tentativës për pushtim si një “operacion special ushtarak”, 10 muaj pasi e nisi atë.
“Dëshirojmë t’i japim fund kësaj lufte”, ishte fjalia e thënë nga shefi I Kremlinit për gazetarët në Moskë gjatë të enjtes. Kritikët e Putin thonë se përdorimi i fjalës “luftë” për të përshkruar konfliktin në Ukrainë ka qenë efektivisht i paligjshëm në Rusi që nga marsi, kur udhëheqësi rus nënshkroi një dekret censurimi që e bën krim shpërndarjen e informacionit “të rremë” rreth operacionit special ushtarak, me një denim që shkon deri në 15 vjet burg për cilindo të dënuar.
Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se administrata e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, po finalizon një “formulë paqeje” me 10 pika, që u përmend fillimisht në samitin e G20-ës. Wall Street Journal shkruan se propozimi do të bëhet publik më 24 shkurt të vitit të ardhshëm, kur bëhen 1 vit që kur nisi lufta. Kievi shpreson në fitore të tjera në betejë për të forcuar pozitën negociuese për paqen. Sekretari amerikan I shtetit, Antony Blinken, konfirmoi se ka diskutuar me kolegët e G7-ës lidhur me një propozim paqeje pas vizitës së Zelenskit në Uashington.
/s.f