Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, i ftuar në edicionin e lajmeve të orës 19:00 në Abc të moderuar nga Juli Xhokaxhi, foli lidhur me çështjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila pritet të marrë zgjidhje në Gjykatën e Hagës.
Milo tha se dy shtete e interesuara duhet të firmosin marrëveshjen e kompromisit me njëra-tjetrën dhe t’i drejtohen me një pyetje të vetme Gjykatës së Hagës sa i përket çështjes së hapësirës detare.
Ai theksoi se në momentin që do të gjendet zgjidhje për çështjen e detit do të fillojë të marrë rrugë edhe diskutimi dhe zgjidhja e çështjeve të tjera të mbetura pezull.
Xhokaxhi: Duket sikur ka një imponim të shtuar të diplomacisë greke për tu marrë me pjesën perëndimore të Ballkanit. Nikos Dendias në Tiranë ka folur për çështjen e zgjidhjes së kufijve detare në Hagë, si ta kuptojmë?
Milo: Patjetër që çështja e delemitimit të hapësirave detare është çështje që ka vite që po diskutohet dhe ka mbetur pezull si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuesë. Duke qenë një çështje e hapur dhe delikate patjetër që ajo është problem. Fakti që tashmë ka një angazhim të shtuar të dy palëve për t’i dhënë zgjidhje përmes Gjykatës së Hagës, tregon s epo bëhen përpjekje për ta kapërcyer, pasi ky problem ka mbajtur peng edhe zgjidhjen e çështjeve të tjera historike. Në momentin që do të zgjidhet kjo çështje, do të hapet rruga dhe për zgjidhjen e çështjeve të tjera.
Xhokaxhi: Që të zgjidhet çështja e detit duhet që të dyja palët të bëjnë një kërkesë të përbashkët në Hagë, keni ju informacion, ka transparencë?
Milo: Unë mendoj se kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Çështja e ligjit të luftës është një atavizëm i historisë, që do ta heqin se nuk ka asnjë kuptim. Çështja që po diskutohet dhe do të shkojë në Hagë, palët janë marrë vesh në parim. Pritet të nënshkruhet dokumenti i kompromisit, të dy palët do bien dakord se çfarë çështje do të çojnë për diskutim në Hagë. Pse do i drejtohen, çfarë do të kërkojnë? Do të formulohet një pyetje që të bien dakord dy palët. Bien dakord vetëm për pyetjen që do i bëjnë Hagës, përgjigjen e jep Gjykata e Hagës, kështu është praktika e kësaj gjykate. Edhe kur u bë incidenti i kanalit të Korfuzit në vitin 1946, që ishte dhe çështja e parë, ku grindja ishte me Britaninë e Madhe dhe dy palët nënshkruan atë që ishte dokumenti i kompromisit.
Xhokaxhi: Cila është pyetja që i duhet drejtuar Gjykatës së Hagës?
Milo: Kjo është një çështje që ju përket dy qeverive, unë nuk di se çfarë po diskutohet në nivelet e larta. Ne dimë se ku janë pak a shumë mosmarrëveshjet.
Xhokaxhi: Si mund të qëndrojë vendimi i Gjykatës tonë Kushtetuese me atë të Gjykatës së Hagës?
Milo: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është vendimi i një vendi të interesuar, kurse Gjykatës së Hagës do t’i kërkohet mendim psh: Cila është vija bazë e përllogaritjes së kufirit detar mes dy vendeve? Sepse ne si Shqipëri mbrojmë pikëpamjen që vija bazë hiqet në bregdetin tonë se ne përfaqësojmë dheun kontinental. Ndërkohë që pala greke pretendon se si vijë bazë mund të shërbejnë dhe ishujt grekë, siç janë ishujt e detit Jon. Pra nëse Gjykatës i jepet si pyetje se cila duhet të jetë vija bazë e përllogaritjes së hapësirës detare. Gjykata do të kthejë një përgjigje.
/e.d