Dy të rinj, një vajzë dhe një djalë, janë vënë në pranga dje gjatë një operacioni të forcave të Komisariatit nr.1, pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëritjetrin kanë realizuar vjedhjen e disa banesave në Tiranë.
Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se gjatë operacionit të koduar “Dyqanet”, u arrestuan 25-vjeçarja Xheni Hysenbegasi dhe miku i saj, Florian Drushku, 29 vjeç.
Ky i fundit, sipas Policisë, ka qenë i dënuar edhe më parë për veprat penale “dhunim banese” dhe “vetëgjyqësi”. Policia sqaroi dje se ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve të banesave, ku si rezultat i hetimeve të kryera prej disa javësh, nga specialistët për Krimet e Hapura është bërë dokumentimi i tyre me prova ligjore.
Tri prej ngjarjeve të denoncuara gjatë muajit janar në Komisariatin nr.1, vjedhjet e banesave të shtetasve A.B., M.N. dhe N.V., tashmë janë dokumentuar me prova shkencore. Në këto ngjarje ka rezultuar se Xheni Hysenbegasi dhe Florian Drushku kanë vjedhur shuma të ndryshme parash, celularë dhe disa bizhuteri floriri.
Policia tha dje se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 29-vjeçarit Drushku, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi municioni luftarake dhe 3 aparate telefoni celular të markave “Samsung” e “Nokia”, që dyshohet se janë vjedhur në banesat e të dëmtuarve, raporton Panorama.
Megjithatë, burimet thanë se dy të rinjtë e arrestuar po hetohen edhe për disa vjedhje të tjera banesash dhe dyqanesh, të cilat ende janë pa autor.