Greqia u trondit mbrëmjen e të dielës nga një atentat, i cili la të vdekur dy shtetas shqiptarë.
Teksa policia vendase ka nisur hetimet, mësohet se një nga pistat për ekzekutimin e Kreshnik Çerçizit dhe Armando Ogranajës është që kjo ngjarje të ketë lidhje me vrasjen e Edmond Papajt pesë ditë më parë në Tiranë.
Siç bëjnë me dije mediat greke, 41-vjeçari Kreshnik Çerçizaj, me origjinë shqiptare, i cili ka marrë pesë plumba në kokë, ka qenë në të kaluarën shqetësim i policisë, pasi ka qenë i dënuar për kontrabandë, drogë dhe grabitje.
“Të premten e kaluar (16.12.2022), u vra në një lokal Edmond Papa, pronar i një hoteli në Sarandë. 49-vjeçari ka marrë disa plumba dhe është transportuar në spital, ku ka humbur jetën pas plagëve të marra. Në Greqi ai ishte dënuar për trafik droge”, shkruan media greke.
Sipas saj, ka mundësi që viktimat të jenë anëtarë të së njëjtës rrjet droge dhe të jenë ekzekutuar nga bashkatdhetarët e tyre.
“Duhet theksuar se në Shqipëri ka shpërthyer një “luftë” mes karteleve të drogës, pasi janë zhdukur rreth 700 kilogramë kanabis, ngarkesë për të cilën ka qenë përgjegjës biznesmeni i vrarë në Tiranë”, shkruan media greke.
/e.d