Çmimet e naftës janë rritur me 12 për qind këtë të premte, pas sugjerimeve të reja se vendet e kartelit OPEC do të shkurtojnë prodhimin. Ministri i Energjisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, i cituar nga “Wall Street Journal” deklaroi se anëtarët e OPEC-ut ishin gati të reduktonin prodhimin.
Në të njëjtat linja u shpreh edhe ministri i Naftës në Venezuelë, i cili tha se, vendet prodhuese ishin në rrugën e duhur për të arritur një marrëveshje. “Jemi në një drejtim shumë, shumë të duhur për të arritur reduktimin e prodhimit”, deklaroi Eulogio Del Pino, që së fundmi vizitoi Rusinë dhe Arabinë Saudite në kuadër të një turi global për të gjetur mirëkuptim mes vendeve prodhuese. Nafta Brent u rrit me 3.30 dollarë në 33.36 dollarë për fuçi në Nju Jork, pasi kishte rënë nën 30 dollarë të enjten. Pasi preku minimumin 12-vjeçar një ditë më parë, 26.05 $, nafta amerikane u ngjit 12 për qind, ose 3.23 duke arritur në 29.44 $ për fuçi, rritja më e madhe ditore që prej vitit 2009. Shumë tregtarë ishin skeptikë për të dhënat e “WSJ”, që sugjeronin se Venezuela dhe Rusia ishin përpjekur më kot këtë javë për të bindur Arabinë Saudite dhe prodhuesit e tjerë të mëdhenj që të shkurtonin prodhimin.
Gjithësesi, tregtarët shprehen se rëniet e ndjeshme të së enjtes mund të kenë shkaktuar ngritjen e papritur. Madje, disa besojnë se çmimet do të bëjnë “rikoshet” herët a vonë, nëse kërkesa në treg rritet.