Nga Ardit Rada
Ardhja e Sekretarit Amerikan në Tiranë shënon një moment padyshim të rëndësishëm për një vend të vogël si Shqipëria, kurdo që ajo ndodh. Kjo është një aksiomë e palëkundur politike, që ka pasur vlerë për të gjitha rastet kur zyrtarë të lartë të Uashingtonit kanë shkelur në vendin tonë. Duke nisur me Xhejms Bejker, Madleine Ollbrajt dhe Presidentin Xhorxh Bush.
Në të tilla raste, ka një garë të vogël mes politikanëve shqiptarë, për hapësirën që do të kenë në orët e qëndrimit të miqve nga SHBA. Një gjë e tillë e tillë po ndodh edhe këto orë me vizitën treorëshe të sekretarit të shtetit Xhon Kerri.
Sot, Kryeministria e plotësoi tablonë e vizitës së sekretarit amerikan, duke deklaruar të plotë axhendën e tij në Tiranë. Në të cilën bie në sy mungesa e dy figurave kryesore të shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për Presidentin Nishani dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta. Po t’i referohesh të paktën draftit të parë të vizitës, pasi në orët e fundit presidenti vendosi të triblojë rregullat e protokollit dhe t’i “dalë përpara” sekretarit Kerri në Rinas. Një gjest disi i habitshëm ky.
Përtej këtij detaji të orës së fundit, axhenda e Sekretarit amerikan vazhdon të fshehë një mister të vogël, i cili lidhet me mungesën e takimeve të Kerrit me kreun e shtetit dhe atë të parlamentit. Një vendim i marrë për mungesë kohe, apo për shkak se kreu i diplomacisë amerikane e konsideron të ezauruar dosjen shqiptare, pas takimeve me kryeministrin dhe kreun e opozitës?!
Mund të duket konspirative në pamje të parë, të thuash se miku amerikan po e shmang takimin me Nishanin ose me Metën për të mos krijuar xhelozi mes këtyre të dyve, por nuk është aspak konspirativ dhe i pavend fakti se Ilir Meta ka një rëndësi politike edhe më të madhe se Basha. Kjo për arsyen sepse është pikërisht partia e Metës që ka mbajtur në këmbë dy qeveritë e fundit të shqiptarëve dhe aq më tepër që kreu i kësaj partie është numri tre i shtetit.
Në të tilla kushte, nuk ka sesi të mos marrin edhe një herë hov teoritë e vjetra të qëndrimit të ftohtë të përfolur, që Uashingtoni mban ndaj Metës. Fjalë të tilla i dhanë shtysë një vizite të zotit Meta në Uashington disa muaj më parë. Një vizitë që u mbyll me intervistën e famshme në ‘Zërin e Amerikës’.