Ashtu siç kishte paralajmëruar Serbia i dërgoi KFOR-it kërkesën për të siguruar lejen e dislokimit të trupave ushtarake dhe policore në Kosovë. Pas mbledhjes së zhvilluar mbrëmjen e së enjtes qeveria miratoi kërkesën për misionin e NATO në Kosovë, e që siç njoftoi presidenti Aleksandër Vuçiç u dërgua në formë elektronike.
Megjithatë në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiç tha se e ka të qartë që kërkesa do të refuzohet.
“Nuk mendoj se ekziston mundësia që ata ta pranojnë kërkesën tonë, jo sepse është e keqe, pasi po ta mendonin më mirë kjo do t’i shërbente paqes, zbutjes së tensioneve dhe mundësisë për të gjetur një zgjidhje kompromisi”.
Vuçiç sqaroi se Serbia po kërkon kthimin e nga 100 deri në 1 mijë trupave në Kosovë, sipas rezolutës 12 44. E miratuar në vitin 1999 ajo ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake.
Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova. Neni 4 i rezolutës, vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për ndërlidhje me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi më herët se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga SHBA, dhe se shteti i tij kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.
/a.r