Për çdo lek që një burrë fiton në Shqipëri, për po të njëjtën kohë të shpenzuar në punë, një grua merr gati 7% më pak. Sipas Institutit të Statistikave, një e punësuar sot merr mesatarisht 51 mijë lekë nga 55 mijë lekë që një burrë fiton.
Mirela Arqimandriti, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, shprehet: “Ne jemi ende larg shanseve të barabarta, krijimit të shanseve të barabarta në punësim, promovim dhe paga. Gjithashtu, kemi diskriminim në vendin e punës”.
Hendeku i pabarazisë gjinore, përtej nivelit të pagës, vihet re edhe te shkalla e pjesëmarrjes në tregun e punës. Me të dhënat e INSTAT, të përditësuara deri në shtator, rezulton se vetëm 67% e grave marrin një rrogë mujore, nivel ku ndjeshëm më i ulët se te burrat. Ndërsa, për ato raste të suksesshme, sfidat nuk kanë të sosur.
Sipërmarrësja Fabjola Mirdita Disha, thotë për A2 CNN: “Gjatë këtyre viteve, ne vijmë të hasim me shumë vështirësi. Ato financiare, por edhe infrastrukturore”.
Për ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, e pranishme në aktivitetin “Fuqizimi Ekonomik i Grave”, ngushtimi deri në shuarje i këtij hendeku mund të arrihet nën porosinë e Heroit Kombëtar, “Skënderbeu”: “Ajo është një burrneshë. Sa nga ju e kanë dëgjuar këtë? Të gjithë ju… e drejtë? Pra, nëse një grua është e mrekullueshme, asaj i vishet burrëria. Sa prej jush e kanë dëgjuar shprehjen e famshme të Skënderbeut “Bashkimi bën fuqinë”. Të gjithë ne e kemi dëgjuar. Është thënia ime e preferuar. Vendi i një gruaje është kudo ajo do”.
Do duhej të ishte një parim themelor i drejtësisë: burrat dhe gratë të kishin të njëjtat mundësi ekonomike në jetë. Por në të gjithë botën, pavarësisht progresit, protestave dhe legjislacionit, ekziston një hendek i vazhdueshëm mes asaj që paguhen burrat dhe gratë.
/a.r