Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ftuar në “Debat”, përtej aplikimit ë Prishtinës zyrtare për statusin e vendit kandidat në BE, foli edhe për situatën praktike në terren, ku në veri të Kosovës situata është tejet e tensionuar.
Sipas Hoxhajt, “Serbia ka një politikë tradicionalisht fashiste ndaj Kosovës, ka qenë gjithmonë politikë e saj për të folur për territore dhe jo për popuj në Ballkan. Situata kurrë nuk ka qenë kaq serioze, por mendoj se përtej përgjegjësisë kryesore që e ka Beogradi, kryeministri Kurti ka ndjekur një qasje të gabuar, duke mos konsultuar partnerët amerikane për shtyrjen e vendimit të targave, e ka rrezikuar sigurinë e republikës së Kosovës”.
Hoxhaj e shtjellon qëndrimin e tij me disa shembuj. “Nga 5 nëntori kemi një situatë ku stacionet policore janë pa policë, bashkitë janë pa kryetarët e komunave dhe këshilltarë, doganat pa doganierë, ka një tërheqje masive të atyre që kanë qenë të integruar në institucionet e Kosovës, ne ndër vite jemi munduar të integrojmë serbët”.
Sipas ish-ministrit të Jashtëm, deputet i PDK-së në Kuvend, Kurti nuk ka një strategji për zgjidhje, kryesisht sepse ai nuk beson në dialog.
“Pavarësia për shtetet e vogla shkon bashke me partneritet, kjo vlen për Kosovën, Shqipërinë dhe për çdo shtet në Ballkan. Kurti ka bërë përpjekje t’i ikë një faze të re të dialogut Kosovë-Serbi pas prezantimit të planit franko-gjerman, duke munduar ta dështojë këtë përshpejtim të dialogut, ai nuk i beson dialogut. E ka dështuar një pjesë të Kosovës në veri të vendit, ku nuk kemi një kontroll në atë territor. Padyshim përgjegjësia mbetet kryesisht tek Serbia, ku me pretendimin e mbrojtjes se komunitetit serb në fakt ndjek politika hegjemoniste dhe pretendime territoriale”.
Po zgjidhja e cila është, arritur në këtë pikë. “Unë nuk shoh plan as strategji. Do ta shihja me dëshirë edhe sepse jam në opozitë, ai e ka mbështetjen tonë të plotë në dialogun me Serbinë. Unë shoh si zgjidhje rikthimin në tavolinë me planin franko-gjerman, garanci amerikane sesi të kthehet komuniteti serb në institucionet e Kosovës, dhe garancia se marrëveshja me Serbinë duhet të parashikojë njohje të ndërsjellë”, deklaroi ai për A2 CNN.
/a.r