Qeveria po vijon të grumbullojë më shumë para’, ndonëse me ritme më të ngadalta se muajt e shkuar.
Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se në harkun janar-nëntor në arkën e shtetit u futën 522.5 miliardë lekë nga pak më shumë se 458 miliardë në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë duke shënuar kështu një rritje me 14 për qind.
Shtrenjtimi i çmime është burimi kryesor i këtyre të ardhurave shtesë, nga ku qeveria po merr më shumë si pasojë e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, akcizës dhe rentës minerare. Ndërsa një kontribut të madh në të ardhurat tatimore e doganore pati edhe tatimi mbi të ardhurat personale nga paga.
Të ardhurat e kënaqshme, por edhe shmangja e djegies së fondeve deri në fund të vitit, po e lejojnë qeverinë të rrisë shpenzimet të cilat për 11-mujorin janar-nëntor kapën shifrën e gati 513 miliardë lekëve duke u zgjeruar me 21.5 miliardë krahasuar më një vit më parë.
Të ardhurat më të larta se shpenzimet kanë bërë që bilanci ekonomik 11-mujor të mbyllet pozitivisht me 9.6 miliardë lekë.
Edhe për vitin e ardhshëm, si pasojë e rritjes së çmimeve qeveria pret të grumbullojë më shumë para’, parashikim ky aspak i këndshëm për qytetarët të cilët do duhet të mësohen me jetesën më të shtrenjtë.
A2CNN /a.r