Rrugëtimi i Marokut në Katar 2022 u mbyll mbrëmjen e sotme në fazën gjysmëfinale, pas humbjes 2-0 ndaj Francës kampione në fuqi e botës. Megjithatë marokenët mund të kthehen me kokën lart në shtëpi, pasi dhanë maksimumin dhe shkruan historinë, teksa këtë e thekson edhe trajneri Regragui.
“Kemi dhënë maksimumin dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Kishim disa dëmtime, humbëm Aguerd gjatë nxemjes, pastaj Sais dhe Mazraui, por unë nuk kam asgjë për të thënë, pasi gabimi më vogël këtu paguhet direkt”, tha trajneri i Marokut.
Portieri i Marokut, Yassine Bounou, pas humbjes në gjysmëfinale kundër Francës tha se ishte krenar për atë që skuadra bëri sërish sonte: “Kemi luajtur një ndeshje të shkëlqyer, por nuk arritëm të realizojmë ëndrrën tonë për të arritur në finale. Jemi krenarë për rrugën, dhe dua të falënderoj të gjithë shokët e skuadrës për angazhimin e tyre pavarësisht problemeve fizike – vazhdon Bounou siç raporton Le Matin –
Urime Francës për fitoren, goli i tyre i shënuar në fillim e bëri detyrën tonë më të komplikuar, por ne luajtëm një ndeshje të mirë”. Sofyan Amrabat ishte një nga lojtarët më të mirë në Kupën e Botës për të gjithë. Madje sipas Presidentit të Republikës Franceze Emmanuel Macron, i cili pas ndeshjes vizitoi dhomën e zhveshjes marokene duke iu drejtuar kështu lojtarit të Fiorentinës: “Ti ishe mesfushori më i mirë në turne”. Një kompliment i vlerësuar nga marokeni i cili u vlerësua publikisht para të gjithë bashkëlojtarëve të tij.
/a.r