Parlamenti dhe Këshilli Evropian kanë arritur sot marrëveshjen për udhëtimin pa vizave të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Europian.
“Të mërkurën ekipet negociuese të Parlamentit dhe Këshillit arritën marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në vendimin e publikuar nga Bashkimi Europian.
Rregullat e reja do t’i lejojnë mbajtësit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian. Në emër të PE-së negociata i ka zhvilluar raportuesi për liberalizim të vizave për Kosovën, Thijs Reuten nga Holanda.
“Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, thuhej në këtë njoftim.
Aktualisht, Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë rajon të Europës./m.j