Një peshkatar, ekuipazhi i të cilit shpëtoi 31 persona në ujërat e Kanalit Anglez, tha se e kuptuan që emigrantët kishin rrethuar varkën e tyre në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur ata nisën të ulërinin për ndihmë.
Duke folur për Sky News, Skipper Raymond tha se po flinte kur u zgjua nga një anëtar i ekuipazhit, i cili i tha se “na kanë rrethuar varkën emigrantët”.
Raymond tha se kishte numëruar 45 persona që po mbaheshin në gomonen e përmbysur në ujë.
“Ngjante si një skenë nga filmat e Luftë së Dytë Botërore. Kishte njerëz gjithandej në ujë që bërtisnin”, tha peshkatari, i cili rrëfeu se bashkë me ekuipazhin e tij, për 2 orë me radhë u përpoqën të shpëtonin emigrantët duke i nxjerrë nga uji.
Ai po ashtu tha se në mesin e atyre që kishte shpëtuar, kishte emigrantë nga Afganistani, Iraku, Senegali dhe India dhe se i kishin rrëfyer se secili prej tyre i kishte dhënë 5 mijë Paund një trafikanti në Francë në mënyrë që t’i çonte në Britani.
Një varkë e vogël u përmbys orët e para të kësaj të mërkure në afërsi të Kentit. Zyrtarisht autoritetet kanë konfirmuar vdekjen e 4 personave, ndërsa janë shpëtuar të paktën 43 persona. Disa prej tyre, në mesin e të cilëve edhe fëmijë e gra, mësohet se janë në gjendje të rëndë në spital.
Zyrtarisht autoritetet britanike nuk kanë dhënë informacion për kombësinë e emigrantëve. E dhëna e parë deri më tani është vetëm rrëfimi i peshkatarit Skipper Raymond.
/a.r