Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka njoftuar një plan prej pesë pikash për “trajtimin e imigracionit të paligjshëm” dhe largimin e shqiptareve ilegalë nga Anglia.
Sunak thotë se është “e padrejtë” që njerëzit të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht dhe “e padrejtë” që njerëzit që vijnë nga vende të sigurta të zënë vend në sistemin e azilit, duke aplikuar për strehim.
Sunak thotë se kuadri global i azilit është “i vjetruar”, duke shtuar se “shtetet armiqësore” po përdorin migrimin si armë në kufirin e Evropës, dhe efektet e ndryshimeve klimatike po bëjnë më shumë vende “të pabanueshme”.
Ndërsa lavdëron Mbretërinë e Bashkuar për rolin e saj në marrjen e azilkërkuesve dhe njerëzve të cenueshëm, Sunak shprehet se “shumë nga përfituesit” e bujarisë së Mbretërisë së Bashkuar nuk janë njerëzit që ikin nga lufta ose persekutimi-por njerëzit që vijnë nga “vende thelbësisht të sigurta” ose që udhëtojnë, përmes kombeve të sigurta.
PLANI ME 5 PIKA
1-Do të ketë një komandë të re, të unifikuar të anijeve të vogla, ku do të përfshihet ushtria, forcat civile dhe inteligjenca;
2-Do të ketë burime shtesë për të rritur numrin e bastisjeve të kryera nga oficerët e imigracionit;
3-Vende të reja, duke përfshirë parqet e pushimeve të papërdorura, ish-sallat e studentëve dhe objektet ushtarake të tepërta, do të përdoren për të strehuar azilkërkuesit me 10,000 hapësira të identifikuara, duke përgjysmuar shpenzimet;
4-Numri i punonjësve të çështjeve të azilit do të dyfishohet për të shkurtuar sasinë e kohës që duhet për të përpunuar kërkesat – me një premtim për të hequr ngarkesën e mbetur deri në fund të vitit të ardhshëm;
5-Një marrëveshje e re me Shqipërinë, duke përfshirë oficerë të Forcave Kufitare në Aeroportin e Tiranës, udhëzim i ri që thotë se Shqipëria është një vend i sigurt, një rritje e pragut që dikush duhet të plotësojë për t’u kualifikuar si viktimë e skllavërisë moderne, një garanci nga Shqipëria se do të mbrojnë njerëzit e vërtetë, në rrezik dhe do të ngrihet një njësi e re e dedikuar me më shumë se 400 specialistë.
Oficeri britanik: Si i rekrutojnë bandat kriminale minorenët shqiptarë në azile
Emigrantët vulnerabël që jetojnë në azile dhe jetimoret në Mbretërinë e Bashkuar janë në shënjestër të bandave kriminale, ka paralajmëruar një drejtues i policisë britanike. Emigrantët, shumica e të cilëve mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar pasi kanë kaluar Kanalin me gomone, po rekrutohen nga bandat për t’u përdorur për trafikim.
Zbulimi u bë si pjesë e një hetimi mbi bandat që qëndrojnë pas rrjetit më të madh të krimit në Britani, të drejtuara nga Mançesteri, Anglia veriperëndimore. Grupet janë të lidhura me trafikun e njerëzve dhe drogës. Stephen Watson, shefi i Policisë së Mançesterit, tha se bandat po shfrytëzonin emigrantët duke i përdorur ata për punë të paligjshme.
“Duhet të jemi të qartë se ka njerëz vulnerabël që bëhen më të prekshëm, por ka edhe disa personazhe mjaft të dyshimtë në Mbretërinë e Bashkuar ne duhet t’i çrrënjosim e t’i largojmë ato”, tha ai për “Daily Telegraph”.
“Po shfrytëzohen si mish për top për grupet e krimit të organizuar. Bëhen një grup njerëzish krejtësisht të pafuqishëm. Përfundimi është, edhe nëse keni një sërë rrethanash që e bëjnë më të ligjshme kërkesën tuaj për azil në Mbretërinë e Bashkuar, këta njerëz po shfrytëzohen deri në atë pikë sa nuk ka gjasa që të integrohen dhe do të kontribuojnë në shoqërinë tonë.
Ata ka gjasa të bëhen kriminelë të ashpër dhe sinqerisht, do të përfundojnë në një pozicion ku do të jenë një barrë neto për shtetin për pjesën tjetër të jetës së tyre”.
Watson nisi operacionin “Vulcan” për të goditur bandat këtë vit. Ekipi i tij ka zbuluar se anëtarët e bandës po paguajnë emigrantët e rinj dhe të rritur nga 10-20 paund në ditë për të vepruar si vëzhgues për të monitoruar policinë dhe për të shpërndarë drogë. Më shumë se 40.000 azilkërkues po strehohen në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në hotele me një kosto ditore prej 7 milionë paund.
Këtë muaj u zbulua se dhjetëra fëmijë refugjatë janë zhdukur. Në Kent, Anglia Juglindore, u zbulua se pothuajse një e pesta e fëmijëve refugjatë shqiptarë janë zhdukur. Këshilli i qarkut Kent mori 197 fëmijë të pashoqëruar nga Shqipëria në periudhën janar-31 tetor të këtij viti dhe, prej tyre, 39 janë të zhdukur.
Suella Braverman, Sekretarja e Brendshme, po propozon të përshpejtohet deportimi i emigrantëve shqiptarë. “Është e qartë se në disa raste ka lidhje të forta midis bandave të organizuara kriminale dhe emigrantëve të paligjshëm”, tha Zyra e Brendshme.
“Kjo është arsyeja pse kjo qeveri po punon për opsionet për të thyer modelin e biznesit të trafikantëve të njerëzve dhe për të siguruar që ne të ndalojmë gomonet që kalojnë Kanalin”. Vetëm 800 shqiptarë kanë mbërritur me anije gjatë gjithë vitit të kaluar.
Mbi 12 mijë shqiptarë shkuan në Britani
Mbi 12 mijë shqiptarë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe brenda këtij viti në atë që mediat vendase thonë se vijnë jo nga një vend i shkatërruar nga lufta por kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Emigrantët shkuan në të shumtën e rasteve me varka gjatë periudhës së verës, duke u kthyer në problemin politik numër një të ditës në vendin ishullor. Të paktën, 6 milionë paund në ditë është shuma që shpenzon qeveria britanike për qendrat e azilit pas rritjes së beftë të numrit të emigrantëve, ku një pjesë e madhe e tyre shkojnë nga vendi ynë. Qeveritë britanike nuk i kanë dhënë zgjidhje problemit, ndërsa numri i atyre që shkojnë rritet dita ditës.
/e.d