Argjentina është finalistja e parë e Botërorit të Katarit. Lionel Messi me shokë ia dolën të triumfojnë me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Kroacisë dhe siguruan kalimin për herë të 6 në histori, në finale e një kupe Bote.
Lionel Messi ishte protagonist absolut mbrëmjen e sotme, pasi shënoi golin e parë me penallti dhe asistoi të tretin, pas një zbritjeje spektakolare, por nuk mbeti pas as Julian Alvarez, që shënoi dy gola dhe fitoi penalltinë.
Dorëzim pa kushte i Kroacisë, që u përpoq të mbajë kontrollin e topit, por pas pësimit të golit të parë në minutën e 34-t, u zhduk nga fusha dhe nuk arriti të shënojë qoftë edhe një gol nderi, duke mbyllur aventurën në Botëror, pikërisht në gjysmëfinale.
Nesër në mbrëmje Franca do të përballet me Marokun, sfidë prej ku do të përcaktohet edhe finalistja tjetër, skuadra që do të diskutojë trofeun me Argjentinën mbrëmjen e 18 dhjetorit.
Argjentinë – Kroaci 3-0 (Messi 34′ pen., Alvarez 39′, 69)
/e.d