Një banor i Mitrovicës, i cili thotë se ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregon se në një bisedë me ish-presidentin Ramiz Alia, ai i ka rrëfyer mendimin e tij për francezët, duke i konsideruar si mbështetës të serbëve.
“Kam qenë dhjetë ditë pas lufte në Tiranë. Edhe jam takuar me Ramiz Alinë në banesë të tij. Kam pirë një kafe dhe më ka pyet “Me qenë se jeton në Mitrovicë, si është gjendja në Mitrovicë, a është vendosur KFOR-i?”. I thashë “është vendosur KFOR-i francez dhe ka vendosur disa pika në qytet”. Megjithatë refugjatët që janë në Maqedoni dhe Shqipëri nuk janë kthyer, popullata. Tha “ju duhet ta dini, që historikisht francezët nuk kanë ardhur me qëllim të mirë, por kanë ardhur me qëllim të keq në Mitrovicë”. Këtë ma ka thënë Ramiz Alia, betohem për Adem Jasharin”, tregon Zeqir Morina.
Trupat franceze kanë qenë pjesë e KFOR-it që prej vendosjes së kësaj force paqeruajtëse aty pas luftës së Kosovës në vitin 1999. Për shumë vite ato janë vendosur në pjesën veriore të Kosovës, kryesisht në Mitrovicë, por gati një dekadë më parë vendosën të largohen përfundimisht, për shkak të angazhimeve të ushtrisë franceze në Mali, për të ndihmuar autoritetet atje kundër kryengritësve. Sipas Reuters, në momentin e largimit, në Kosovë ndodheshin vetëm 320 ushtarë francezë si pjesë e misionit të KFOR.
Në qytetin e tij, Mitrovicë, situata vijon të jetë e tensionuar. Rrugët brenda qytetit janë të boshatisura, ndërsa ato që të çojnë në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakës mbeten të bllokuara. Serbët në veri të Kosovës kanë vendosur këto barrikada në shenjë proteste kundër arrestimit të një polici serb, i cili akuzohet për trazirat në veri nga autoritetet e Kosovës.
/a.r