Më shumë se 40 qytete kineze kanë dhënë kuponë për të përshpejtuar rimëkëmbjen e tregut të konsumit. Ndërkohë, shumë grupe nga provincat e qytetet e Kinës kanë shkuar jashtë vendit për të siguruar porosi e për tërhequr investime të huaja, çka jo vetëm nxit në mënyrë aktive kompanitë e tregtisë së jashtme të hapin tregjet, por edhe rrit në mënyrë efektive besimin e të gjitha palëve… Gjatë dhjetorit, krahina të ndryshme të Kinës kanë shtuar përpjekjet për të stabilizuar ekonominë e nxitur rritjen.
Ekspertët besojnë që, me zbatimin efektiv të masave të ndryshme të politikave për zgjerimin e kërkesës, besimi i subjekteve të tregut do të rritet, gjallëria do të çlirohet më tej dhe rimëkëmbja ekonomike e Kinës do të përshpejtohet.
Sipas statistikave jo të plota, qysh nga fillimi i dhjetorit, më shumë se 40 krahina në të gjithë Kinën kanë njoftuar nisjen e aktiviteteve të dhënies së kuponëve për konsumatorët.
Njëkohësisht, provincat si Zhejiang, Sichuan, Guangdong, Jiangsu, Fujian, Anhui, Hunan dhe Henan kanë organizuar ndërmarrje të tregtisë së jashtme të shkojnë jashtë vendit për të tërhequr investime.
Delegacioni ekonomiko-tregtar i qytetit Foshan të provincës Guangdong, delegacioni i parë i organizuar nga pushteti vendor i kësaj province për të shkuar jashtë vendit për shkëmbime, u kthye me sukses më 3 dhjetor nga Evropa me porosi me vlerë më shumë se 500 milionë juanë. Delegacioni i promovimit të investimeve i qytetit Suzhou të provincës Zhejiang, që shkoi në Japoni, siguroi gjithashtu 1.86 miliardë dollarë investime të synuara dhe vlera e porosive të tregtisë së jashtme i tejkaloi 1 miliard juanët. Në mëngjesin e 9 dhjetorit, Suzhou dërgoi një tjetër grup në Evropë.
Provinca Zhejiang ka promovuar gjithashtu veprime stabilizuese ekonomike, ku pritet që të marrin pjesë 1 000 delegacione dhe 10 000 kompani të tregtisë së jashtme. Qyteti Jiaxing i provincës Zhejiang ka konfirmuar listën e më shumë se 80 grupeve që do të shkojnë jashtë vendit për tërheqjen e investimeve deri në fund të vitit të ardhshëm, dhe pesë grupe do të nisen nga Kina vetëm këtë muaj.
Në raportin e publikuar nga Instituti i Kërkimeve Industriale “Zhongyan Puhua” theksohet se, me forcimin e vazhdueshëm të politikës së stabilizimit të tregtisë së jashtme dhe të ekonomisë, kompanitë e tregtisë së jashtme kanë rimëkëmbur besimin e tyre në zhvillimin e tregtisë së jashtme.
Lidhur me parashikimin për vitin 2023, Zhang Wenlang, kryeanalisti i Departamentit të Kërkimeve në CICC, parashikon se, me dobësimin e ndikimit të epidemisë, vrulli i ekonomisë do të rritet, ndërsa mund të vazhdojnë të publikohen politikat fiskale e thuajsefiskale, dhe pritet që ritmi i rritjes ekonomike të përshpejtohet vitin e ardhshëm.
/s.f