Ish-kandidati në Partinë Demokratike për Primaret për Tiranën, Ilir Alimehmeti ka refuzuar propozimin e Belind Këlliçit, kandidatit zyrtar të PD-së për kryeqytetin.
Në një intervistë për Euronews Albania, Alimehmeti u shpreh se nuk do të behet nënkryetar bashkie, nëse Këlliçi fiton zgjedhje lokale më 14 maj të vitit 2023.
Sipas Alimehmetit, propozimi i Këlliçi ishte emocional dhe duhej menduar e analizuar më mirë.
“Unë mendoj që ishte një moment ku zoti Këlliçi këtë ofertë, e bëri në kushtet e një orëshi, dy orëshi, ose më pak se aq. E pakëshilluar mirë, përgjigja është jo në atë drejtim. Patjetër, unë do ta ndihmoj me gjithçka që mundem, që zoti Këlliçi, si kandidat zyrtar tani të shkojë dhe të fitojë më 14 maj, por jo përkarshi një shpërblimi të këtij lloji. Jo, unë këtë do ta bëja, gjithsesi e kam deklaruar javë më parë, muaj më parë, që do ndihmoja këdo kandidat që do të ishte përtej logjikës sime personale.
Unë jam person i realizuar, qoftë profesionalisht, personalisht, familjarisht, nuk kam nevojë për diçka të tillë. Megjithatë, unë mendoj që ishte një ofertë nga ana e tij, por në momentin që këshillophet më mirë, patjetër që do ta shohim më mirë këtë situatë. Patjetër që është një jo, kjo është e qartë”, theksoi ai.
/s.f