Tre gra, përfshirë një mikeshë të kryeministres të Italisë, u vranë kur një burrë hapi zjarr në një kafene në Romë, duke plagosur katër persona të tjerë. Ata që ishin brenda po mblidheshin si pjesë e komitetit të banorëve të një blloku lokal.
Një i dyshuar, 57 vjeç, është në paraburgim. Ai ka një histori mosmarrëveshjesh me disa nga bordi i komitetit, shkruan BBC. Nga personat e plagosur, që besohet se janë dy gra dhe dy burra, njëri mbetet në gjendje të rëndë.
Kryeministrja Giorgia Meloni e cilësoi një nga gratë e vrarë si mikeshën e saj Nicoletta Golisano. Emrat e grave të tjera të vdekura janë Elisabetta Silenzi dhe Sabina Sperandio. Në një postim në Facebook, ku i dërgoi ngushëllimet familjes së zonjës Golisano, Meloni tha se do ta kujtonte gjithmonë shoqen e saj “të bukur dhe të lumtur”.
“Nicoletta ishte një nënë mbrojtëse, një shoqe e sinqertë dhe e matur, një grua e fortë dhe e brishtë në të njëjtën kohë. Por mbi të gjitha ajo ishte një profesioniste me një ndjenjë detyre jashtë të zakonshmes… Nikoletta ishte shoqja ime. Nuk është e drejtë të vdesësh kështu”, shkroi Meloni.
Meloni tha gjithashtu se një poligon qitjeje nga i cili dyshohet se kishte vjedhur armën e përdorur në sulm ishte mbyllur dhe ishte nën hetim. Policia ende nuk ka komentuar motivin e të dyshuarit, i cili është përmendur nga shtypi italian, por jo zyrtarisht. Sulmi nuk mendohet të ketë qenë politik. Raportet sugjerojnë se i dyshuari dhe bordi i banorëve të pallatit kanë qenë në një mosmarrëveshje të ashpër për disa kohë.
Giorgia Meloni, udhëheqëse e partisë së ekstremit të djathtë të Italisë, Vëllezërit e Italisë, u bë kryeministrja e parë femër e vendit në tetor.