Kryeministri Edi Rama ka dënuar ashpër sulmin ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it në veri të Kosovës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka kërkuar që Bashkimi Evropian të thërrasë urgjent tryezën e dialogut.
“Sulmet mbi EULEX-in në Kosovë janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë! Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!
Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”, shkroi Rama në Twitter.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka konfirmuar se një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit.
EULEX-i bëri të ditur se asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale, por i cilësoi sulmet e tilla të papranueshme.
Sulmet mbi @EULEXKosovo janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës,bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë,po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë!
— Edi Rama (@ediramaal) December 11, 2022
/s.f