Lars-Hendrik Roller, i cili ka drejtuar për disa vite politikat ekonomike dhe financiare të Kancelarisë Gjermane, do të jetë këshilltar i Kryeministrit shqiptar Edi Rama për ekonominë dhe financat.
Lajmin e ka bërë të fitur vetë Kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se marrëveshja u arrit pas diskutimeve 2-ditore.
“Kënaqësi e privilegj i veçantë që na bashkohet në rrugën tonë, si këshilltar i kryeministrisë për ekonominë e financat, Lars-Hendrik Roller, me të cilin patëm dy ditë intensive diskutimesh shumë të dobishme”, shkruan Kryeministri Edi Rama.
Lars-Hendrik Roller drejtoi politikat ekonomike dhe financiare të Kancelarisë Gjermane nga viti 2011 e deri në Pranverën e këtij viti, duke mbuluar për një dekadë edhe rolin e Kryekëshilltarit Ekonomik të Kancelares Angela Merkel. Në këtë rol drejtoi ndër të tjera edhe ekipin e negociatorëve gjermanë në forumet G7 dhe G20.
Prej disa muajsh ai ka marrë postin e Drejtorit të Bordit të Investimeve të BlackRock-ut, kompani multinacionale me qendër në Shtetet e Bashkuara, që menaxhon fondin më të madh në botë me rreth 10 trilionë Dollarë.
/s.f