Policia e Kosovës ka njoftuar se në tri raste, zyrtarët policorë të Kosovës janë sulmuar me të shtëna armësh në afërsi të Ujmanit.
Sipas mediave të Kosovës bëhet me dije se në këtë situatë, edhe policët janë përgjigjur me të shtëna.
“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut”, thuhet në njoftim.
“Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”, bëhet e ditur më tutje.
Policia ka theksuar se nuk dihet nëse ka ndonjë të lënduar nga ky shkëmbim me armë zjarri.
“Deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së sigurisë publike dhe rendit kushtetues”, përfundon komunikata./m.j