Avokati i Popullit depozitoi pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë disa propozime mbi aksesin e furnizimit me energji elektrike për konsumatorët e cenueshëm.
Avokati i Popullit ka rekomanduar:
1. Të mos mungojë energjia elektrike për familjet e varfëra, që nuk kanë mundësi ta paguajnë. Është i nevojshëm krijimi i mundësive të diferencuara në mënyrën sesi do të ofrohet energjia elektrike dhe krijimi i skemave lehtësuese të përballueshme për pagesat e energjisë elektrike për këto familje. Aktualisht është koha dhe duhet të krijohen programe specifike vetëm për konsumatorët në nevojë.
2. Ofrimin e zgjidhjeve të menjëhershme që këto familje të mos privohen nga e drejta për akses në furnizimin e nevojshëm me energji elektrike, duke siguruar minimumin e mundshëm, ndriçimin në banesë. Në gjykimin e Avokatit të Popullit kjo duhet të shoqërohet me një paketë ndryshimesh ligjore me qëllim ndryshimin edhe të skemave për aksesueshmërinë në këtë shërbim për grupet vulnerabël.
3. Kryerjen e një studimi nga ana e Ministrisë së Energjitikës në bashkëpunimin me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për të identifikuar numrin e familjeve në varfëri ekstreme dhe absolute, të cilët përballen me mbijetesë dhe vuajnë për të siguruar ushqim dhe ngritjen e një sistemi data-bazë për këto familje.
Ky rekomandim është bërë mbështetur në situatën aktuale ku janë rritur ndjeshëm ankesat për ndërprerje të energjisë elektrike, në disa raste me muaj, nga pamundësia për të paguar faturat. Furnizimi me energji elektrike është bërë gjithnjë e më i vështirë për grupet e cënueshme dhe në risk. Duke mbajtur në konsideratë ndryshueshmërinë në çmimin e energjisë elektrike, pamundësinë e pagesës së saj, prej faktorit ekonomik, shumë qytetarë po përballen me mungesën e furnizimit të vazhdueshëm me energji elektrike, sidomos gjatë stinës së dimrit.
Sipas treguesve të nivelit të varfërisë rreth 14.3% të familjeve jetojnë në varfëri absolute (e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë) si dhe rreth 2.2% jetojnë në varfëri ekstreme (e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).
Aktualisht, rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike, në mungesë të llogaritjes së minimumit jetik, që nuk përputhet me standardin e jetesës në Shqipëri. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh.
Ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike, në muajin Janar 2015 u pasua me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për mbrojtjen e shtresave në nevojë, por në shumë raste kjo është e pamjaftueshme për konsumatorët me të ardhura tepër të ulëta, për të përballuar pagesën e saj.
Duke ju referuar Direktivës 2009/72/EC në lidhje me rregullat e përbashkëta të tregut të brendshëm të energjisë elektrike, përcaktohet se duhet të sigurohet një seri e të drejtave për furnizimin me energji elektrike brenda cilësisë teknike, transparente dhe jo diskriminuese dhe shteti duhet të marrë masa adekuate për mbrojtjen e konsumatorit të cenueshëm.
Referuar Direktivës 2003/54/EC e Këshillit dhe Parlamentit Europian “Në lidhje me rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të energjisë elektrike dhe që shfuqizon Direktivën 96/92 / EC” kreu IIi saj i referohet kompensimit financiar, dhe në veçanti duhet të sigurohen masa adekuate për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë, duke përfshirë masat për të ndihmuar dhe për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji elekrike.
Duke gjykuar se pavarësisht se ekzistojnë skema lehtësuese për pagesën e detyrimeve të prapambetura, apo garanci ligjore për të gjithë ata konsumatorë të cilët rezultojnë debitorë, mbrojtja sociale dhe ekonomike e grupeve të cenueshme nuk është e mjaftueshme dhe duhet të konsiderohet prioritet për shkak se familjet në nevojë ekstreme nuk arrijnë dot të sigurojnë mbijetesën dhe jo më të përballen me faturat për pagesat e shërbimet publike. Kjo duhet të shikohet e lidhur ngushtësisht edhe me gjetjen e mundësive për shmangien e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për këto grupe.
Sjellim në vëmendje edhe axhendën e miratuar në samitin e Kombeve të Bashkuara në muajin Shtator 2015 “Për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030”, objektivën numër 7, e cila lidhet me sigurimin, aksesin dhe furnizimin me energji elektrike, të përballueshëm e të qendrueshëm.