Nga Jakin Marena
Tashmë është bërë rrugë, sa herë që ka probleme në Beograd dhe Moskë, fillojnë menjëherë tensionet në Shqipëri. Ka ndodhur gjithnjë, dhe nëse dikush mund të na provojë të kundërtën, atëherë ta kundërshtojë.
Dikush mund të thotë se është konçidencë kjo. Dhe ne po e pranojnë një gjë të tillë, nëse ndodh njëherë apo dy herë. Mund ta quajmë konçidencë apo përkim fatal të problemeve të Beogradit apo Rusisë me tentativa për destabilizim që i shoqërojnë ato në Shqipëri.
Dhe strumbullari i gjithë këtyre trazirave në të gjitha herët, si me “komandë” nga Beogradi dhe Moska, ka vetëm një emër: Sali Berisha. Eshtë politikan halleshumë Berisha, i shpërndarë si “vaji në lakra”, me një dorë në Beograd, një dorë në Moskë, dhe pjesët e tjera të trupit, përfshirë dhe ato që nuk thuhen, në Iran, vendet arabike dhe kudo.
Por le të kthehemi tek koncidencat, të cilat nuk po ndodhin njëherë apo dy herë, por në të gjitha herët. Kur sa herë ka pasur hall Beogradi apo Moska, atëherë menjëherë kanë nisur përpjekjet për destabilizim në Tiranë.
Për të mos u bërë të bezdisshëm, po e fillojmë përmendjen e tyre në mënyrë telegrafike e shumë shkurt, që nga momenti kur Milosheviçi u vu nën embargon e OKB për naftën e armët në fillim të viteve ’90, kur po bënte masakra në të gjitha ish republikat e ish-Jugosllavisë, më rëndë në Bosnje Hercegovinë e më pas në Kosovë, makina ushtarake serbe u furnizua nga shteti shqiptar që drejtohej nga Sali Berisha. Eshtë e shkruar dhe në raportet e OKB kjo, nuk po e shpikim ne.
Nuk po përmendim këtu vetëm ‘sentimentin’ e tij për serbët, për shkak të lidhjeve të krushqisë që ka me ta, apo po të marrim parasysh akuzat e ish truprojes së tij Izet Haxhia për lidhjet me familjen Karaxhiç, dhe Berisha vetë ka gjak serb. “Gjaku ujë” nuk bëhet. Por po risjellim në kujtesë dhe akuzat e pakundërshtuara realisht asnjëherë nga Berisha, të kundërshtarëve të tij politik, ku përmes Ballës publikuan disa “shënime” që sipas tyre vertetojnë se Berisha ka qënë një spiun funksional i UDB, shërbimit sekret serb.
Dhe kur je spiun, të kanë dosjen, mund të të sjellin për “hunde” nga të duan, mund të të urdhërojnë, të të rrahin dhe s’të lënë të qash, mund të të kalojnë “dorë më dorë” tek shërbimet sekrete të miqve të tyre, siç ndodhi dhe në të vërtetë, duke e kaluar në “prehrin” e Moskës.
Berisha ka vijuar me shërbimin tjetër ndaj Beogradit, duke përndjekur, burgosur, zhdukur apo lëshuar në pritë veprimtarët dhe udhëheqësit kryesorë të UÇK, duke filluar nga Remzi Hoxha, vijuar me Adem Jasharin dhe përfunduar me Hashim Thaçin. Të cilët i zhduku pa gjurmë, i burgosi dhe i çoi në pritat serbe ku u vranë, apo dhe i dëboi nga vendi.
Dhe në momentin kur UÇK po forcohej shumë, Berisha pasi vodhi zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996, dhe ngriti piramidat mashtruese që ‘thithën’ paratë e shqiptarëve, shkatërroi shtetin nga themelet në mars 1997, duke hapur depot e armëve e për pak sa nuk e kaloi vendin në përplasje veri-jug, drejt një lufte civile. Pra e bëri Shqipërinë një shtet që nuk ngrinte dot “brekët e veta”, aq sa u deshën trupat e huaja për të vendosur rendin, jo më që të jepte sadopak ndihmë për Kosovën, e cila po vuante genocidin serb të Milosheviçit, i cili ishte furnizuar rëndshëm dhe me naftën dhe armët shqiptare.
Dhe kur mendoi se vendi po rimëkëmbej e mund të shërbente si bazë e luftëtarëve të UÇK por dhe aleatëve tanë për të çliruar Kosovën, me sa duket “fermani” i Milosheviç e detyroi që të merrte ‘armët’ sërish në atë grusht të dështuar shteti më 14 shtator 1998, dy ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit, çka shkaktoi pushtimin e institucioneve, që nga kryeministria e deri tek RTSH. Një telefonatë përtej Atlantikut e detyroi të tërhiqej nga shpallja e qeverisë së grushtit të shtetit, por jo nga shërbimi që i kërkohej nga Milosheviçi në hall.
Berisha bëri thirrje të mos nënshkruhej Rambujeja nga pala e Kosovës, duke i shpallur tradhëtarë firmatarët, pavarësisht se kjo marrëveshje që u nënshkrua nga Thaçi solli ndërhyrjen e NATO-s nga ajri dhe toka e bashkë me luftëtarët e UÇK çliruam Kosovën, pavarësinë e të cilës po e gëzojnë “llokum” sot edhe ata që qeverisin aktualisht, paçka se nuk dinë të lëvizin as shulin e armës jo më të kenë luftuar. Ata që luftuan dergjen në burgjet e Hagës, nën akuza absurde dhe pa asnjë ndihmë nga shteti i e tyre, që i dhanë gjithçka, rininë, jetën e njerëzve më të dashur dhe mundin.
Berisha asnjëherë nuk e ka ndalur shërbimin ndaj Beogradit, as Moskës. I dha Serbisë në 8 vite qeverisjeje mbështetje ku mundi e si mundi, që nga votimi në Strasburg i rezolutës së partisë së Putinit bazuar në raportin e Dick Marty, i përpiluar dhe me informacionet e vajzës së tij Argita Berisha, për të ngritur akuza ndaj Thaçit dhe ish komandantëve të UÇK për trafik organesh njerëzore. Ndonëse janë inegzistente dhe s’janë përfshirë as në akt-akuzën e Hagës.
Por për ta garantuar më mirë Beogradin dhe aleatin e tij Moskën, mori pranë vetes si këshilltar, duke e futur madje dhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, një ndër emrat më kontraversë të punëve të ndyra në Ballkan, serbo-boshnjakun Damir Fazlliç. I cili mori dhe lekë sa u “dënd” në Shqipëri, përmes kompanive të energjisë, transaksioneve e shit-blerjeve të tokave në Porto-Romano apo dhe të pastrimit të parave. Berisha e mbante si “ogiç” pas vetes, madje kërcënonte dhe Ramën atëherë në opozitë se duke qënë se Fazlliçin e kishte mik, do ta sillte në mes të Parlamentit. Jo më të lejohej ta arrestonin.
I përmendëm këto, sepse Berisha dhe në opozitën e gjatë tashmë nga viti 2013 e në vijim, i shërbeu fort Beogradit dhe Moskës sa herë që ata kanë qënë në hall. Madje ka përfituar dhe para, duke qënë në listë-pagesën e Kremlinit, e kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë në raportin më të fundit të CIA-as amerikane, por dhe publikuar në mediat më të mëdha ballkanase, se Berisha është pika e kontaktit e Moskës në Ballkan.
Mori gjysmë milioni euro për të destabilizuar Shqipërinë e Rajonin, Berisha, dhe këtë tentoi ta bënte që nga viti 2017 me ‘çadrën’, në vitin 2019 kur dogji mandatet e deputetëve të opozitës dhe bojkotoi zgjedhjet vendore të 30 qershorit, dhe këtë po e bën dhe tani. Kaq dimë ne, mund dhe ndoshta ka marrë dhe para të tjera që nuk i dimë, dhe të cilat po i “vjell” dita ditës me sherre dhe përpjekje “revolucionesh” destabilizuese në Shqipëri.
Për këtë arsye e për shumë arsye të tjera Berisha është shpallur “non grata” nga SHBA, Britania e Madhe, por dhe trajtohet si “non grata” nga vendet e BE e vendet e rajonit. Dhe ditën e samitit të përbashkët të liderëve të BE me ata të Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Tiranë, Berisha u aktivizua rëndshëm. Kishte hall Beogradi që nisi të hidhte “vickla” presidenti Vuçiç, i cili herë deklaronte se vjen e herë s’vjen në Tiranë. Për të vendosur përfundimisht atëherë kur me sa duket u garantua se Berisha ishte i vendosur për të protestuar para liderëve të BE, më 6 dhjetor.
Pra pasi mori garanci se nuk ishte tërhequr nga vendimi, pasi “qetësoi” dhe miqtë në Moskë për këtë qëllim, Vuçiç erdhi në Shqipëri. Koncidencë e rastit dhe kjo, por që tashmë merr përmasat e të vërtetës, me konkluzionin se sa herë që “teshtin” Beogradi e Moska, menjëherë Berisha “lidh kokën me shami” dhe fillon tensionimin e situatës, bën sherre dhe kërkon të zhbëjë gjithçka të mirë që është bërë dhe po bëhet në këtë vend.
Duke qënë se protesta ishte e vobektë, më pak se 1500 vetë e ndoqën Berishën më 6 dhjetor, më pak se forcat e sigurisë së angazhuar për mbarëvajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor, atëherë si me ‘porosi’ i doli para një i sëmurë mendor që e goditi me grusht fytyrës Sali Berishën. Duke e bërë lajmin e grushtit më të madh se protesta dhe duke lëshuar pak hije mediatike mbi Samitin. Mediat kanë punën e tyre, “lajmi i keq është lajm i mirë”, dhe nuk kishte si ta neglizhonte lajmin. Fakt është se Berisha e bëri sherrin në Tiranë, pikërisht atëherë kur i duhej Beogradit por dhe Moskës që tashmë janë në hall.
Duke qëndruar në idenë se agresori ndaj Berishës, është i sëmurë mendor, nëse ecim pas teorisë konspirative të Berishës se ia bëri Rama, pa asnjë gjasë se nuk prish askush dasmën e vet, apo sipas teorisë së ekspertëve të sigurisë të padalë kurrë në terren por që këpusin “kumbulla” dhe bëjnë “skupe” nga katedrat e universiteteve, që këmbëngulin se ishin të interesuar nga jashtë për të goditur Berishën, ajo që mund të themi është e thjeshtë.
Nëse nuk do të ishte i sëmurë mendor, atëherë grushtuesi i Berishës do të ishte i vdekur tani. Ka ndodhur, për një prishje mitingu në Tropojë u vranë gati 200 djem me urdhër të Berishës. Jo më ta qëllosh me grusht që nuk ka asnjë gjasë. Por ka shpëtuar, pasi Berisha deklaroi publikisht se “e kam falur”. Bëhet fjalë për jetën, pasi Gerti Shehu është nën arrest për dhunë dhe për aktin do të dënohet nga gjykata. Nëse do ishte i paguar nga të huajt për destabilizim, kishin tërë mundësinë e Zotit dhe ta ekzekutonin në vend Berishën e lënë “zbuluar” nga truprojat, jo t’i “ledhatonin” faqen e hundën në fillim, dhe pastaj t’i këpusnin një grusht. I bëjnë tamam gjërat ata.
Pra agresori ndaj Berishës ‘shpëtonte’ vetëm në dy raste: Nëse është i sëmurë mendor, realisht është i destabilizuar mendërisht, dhe në rastin e pagesës brenda grupit, por që doli nga “skenari” duke e qëlluar më fort Berishën se sa i kishin thënë me sa duket. Hipotezë kjo, aspak e vertetuar dhe as e besoj, por duke dëgjuar Berishën dhe këta ekspertët e sigurisë së “katedrës” po ndjekim dhe ne rutinën e tyre dhe për një moment e po bëjmë si ata.
Por ngjarjet që po ndodhin në Veriun e Kosovës dhe në vendimet e qeverisë Britanike, po na rikthejnë në fillimin ne argumentit tonë: Beogradi dhe Moska janë vërtet në hall, ndaj kanë aktivizuar “pikën e tyre të kontaktit në Tiranë”, Sali Berishën për të bërë pak sherr.
Situata po agravohet në veri të Kosovës dhe Beogradi ka kërcënuar se ka për të dërguar mbi 1 mijë trupa, çka përbëjnë kërcënim për paqen në atë zonë, dhe një burim të pashtershëm konflikti rikthimi i ushtarëve serbë në territorin e Kosovës. E konfirmoi dhe kryeministrja serbe një paralajmërim të tillë Njëherësh, trupat paramiltare ruse “Wagner” kanë ngritur selinë e tyre dhe në Beograd. Lajmet janë dhënë tashmë, madje dhe foto nga “fushimi” i tyre. Atëherë duhet pak destabilizim dhe në Shqipëri, për të hequr mendjen nga Veriu i Kosovës dhe destabilizim në të dy shtet shqiptare për t’i dhënë një “dorë” ndihme Putinit.
Por ka dhe më. Britania e Madhe, si pjesë e masave të saj globale kundër korrupsionit, vendosi sanksione për Zvonko Veselinoviçin, Milan Radoiçiçin dhe Slobodan Tesiçin. Milan Radojçiç, një biznesmen nga industria e ndërtimit dhe nënkryetar i Listës Serbe. “Slobodan Teshiç, një tregtar i njohur armësh nga Serbia, akuzohet për ryshfet ndaj kryeprokurorit të shtetit të një vendi tjetër”, thuhet në shpjegim.
Pra pas Berishës që e shpallën “non grata” Britania e Madhe i jep një goditje tjetër Beogradit, pikërisht aty ku i dhemb, Tesiçin, trafikantin e armëve, një figurë jo fort e panjohur, dhe i lakuar për lidhjet e tij me Berishën në kohën e qeverisjes së tij të dytë. Ia prenë krahët Beogradit, dhe është në hall. Ndaj aktivizohet Berisha duke mbajtur në gojë grushtin që mori në fytyrë nga një i sëmurë mendor, një akt i padenjë ky për një shqiptar që të përmendë rrahjen që i kanë bërë dhe për më tepër për një malësor, siç pretendon Berisha, i cili e quan veten me rregulla dhe Kanun.
Dhe që të mos e lëmë në “arrësirë” lexuesin, mund të themi se shpallja “non grata” e trafikantit të armëve Slobodan Tesiç nga Britania e Madhe, pason vendimin e SHBA që bëri të njejtën gjë. Në 9 dhjetor 2019, Departamenti i Thesarit të SHBA publikoi listën e zezë për persona nga Europa, Azia e Amerika e Jugut të përfshirë në rrjetin e korrupsionit, kontrabandës së armëve dhe krimit. Përveç emrave të tyre, ata renditën emrat e bashkëpunëtorëve të tyre dhe kompanitë për të cilat punojnë dhe të cilat janë nën sanksionet e SHBA-së dhe OKB. Lista, përfshinte edhe emrin e Slobodan Tesiç, një qytetar serb i lindur në Kiselak.
Tesiç ishte në shënjestër të Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve ndërkombëtare për rreth 15 vjet për shkak të kontrabandës së armëve në vendet aziatike dhe afrikane nën embargo ndërkombëtare. Në raportin e Departamentit të Thesarit thuhet se Tesiç kishte bashkëpunëtorë, të cilët ose punuan me të ose në emër të tij drejtuan kompani të ndryshme që ai i menaxhonte fshehurazi dhe merrte vendime strategjike e bënte marrëveshje.
Por Tesiç është njeriu me të cilin qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes gjatë qeverisjes së Berishës kanë bashkëpunuar duke e përzgjedhur si kontraktor në trafik armësh. OKB ka evidentuar vizitat e Tesiç në Tiranë, takimet në Ministrinë e Mbrojtjes me drejtues dhe ministrin e asaj kohe Arben Imami, i cili ka dhënë aprovimin për shitjen e armëve e municioneve këtij kontraktori serb super të kërkuar në botë, pasi akuzohet se i ka shitur armë vendeve në luftë civile, apo diktatorëve si siberianit Tailor, jemenasit Saleh dhe së fundi libianit Gadafi.
Shqipëria i ka dhënë armë trafikantit serb në 2010 për Libinë e Gadafit, madje disa anije. OKB e njeh serbin si një nga më të rrezikshmit edhe në biznes droge, përveç armëve, pas arrestimit të rusit Viktor Bout. Tesiç ka thyer rezolutën 1521 të OKB-së. I ngjyrosur në listë është emri i Tesiç, si bashkëpunëtor i trafikantëve të tjerë dhe njëkohësisht si dorë e parë e shitjes në firmën e tij “TEMEX Tezic”.
Partia Socialiste në atë kohë në opozite ka deklaruar se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, është takuar fshehurazi në Shqipëri me Slobodan Tesiç, ku i ka shitur armë me 20 përqind të vlerës reale. Deputeti i PS, Erion Braçe, ka deklaruar në atë kohë në mes të Parlamentit por dhe në media se Imami e ka pritur në Shqipëri Slobodan Tesiç dhe e ka shoqëruar në depot e armëve.
Pra janë më të thella punët, ndaj Berisha është bërë si i tërbuar dhe po kërkon me insistim të tensionojë situatën në Shqipëri me çdo kusht. Qoftë dhe duke përdorur dinjitetin e tij, që një grusht që mori në fytyrë nga një i sëmurë mendor, e dënojmë këtë akt dhune për hir të së vërtetës, ta përdorë si një malësor aspak dinjitoz dhe i mirë në interesin e tij politik, dhe në justifikim në listëpagesës ruse dhe serbe. Meqë nuk kemi drejtësi, ne duhet të presim të bëhet drejtësia, dhe SPAK të heqë dorë nga pritja për t’ia sjellë të tjerët provat. Ata veprojnë me shpallje “non grata” dhe revokim vizash, jo të të sjellin në tavolinë provat.
Berisha është në hall si i shpallur “non grata” dhe i izoluar tërësisht nga bota pa asnjë shans pushteti, por më keq akoma janë në hall dhe ata që e paguajnë, dhe ky është një dopio hall. Ndaj po përpiqen të gjithë bashkë të destabilizojnë Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin. Eshtë një rrezik.