Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se aksioni opozitar tashmë ka hyrë në një fazë të dytë. Pas përfundimit edhe të balotazheve për primaret, ish-kryeministri shprehet se tashmë kryefjala do të jetë vota e lirë.
Berisha u shpreh se ashtu sic votuan demokratët brenda PD ashtu do të votojnë edhe shqiptarët.
Teksa e quan këtë qeveri se “kalbësirë”, Berisha u shpreh “unë kam besim se një kalbësirë si kjo nuk do zgjasë dhe ne do bëjmë gjithçka për ti shkatërruar jetën kësaj kalbësirë”, duke theksuar se do të përdoren të gjitha format e protestës, përfshirë edhe mosbindjen civile.
Pyetja: Cila është përgjigja që do t’i jepni këtij sulmi?
Berisha: Revolucioni demokratik hyn në fazën e dytë, përfundimi me sukses deri tani dhe shpresoj edhe të dielën që vjen i balotazheve që kanë mbetur shënon kurorëzimin e një procesi, e një festivali të vërtetë lirie, nuk them të përsosur, në PD dhe e ka nxjerrë këtë parti shumë herë më të fortë.
Qëllimi ynë është që sic votuan brenda partisë të votojnë edhe shqiptarët.
Ne duam që shqiptarët të votojnë. Ne nuk kemi asnjë iluzion se me një kryeministër që në përputhje me aktin 3 të OKB për gjenocidin po kryen gjenocid kundër shqiptarëve duke krijuar kushte të kalkulueshme për shpërbërjen e tyre. Nuk kemi iluzion se mund të ketë votë të lirë.
Unë konstatoj se sot në shumicë shqiptarët janë të bindur në këtë pikëpamje. Ndaj do vazhdojmë revolucionin tonë për të shpëtuar Shqipërinë nga ky pushtim i brendshëm, ndoshta më barbar edhe se pushtimet jashtë tij.
Pyetje: Nëse ju e quani revolucionin me dy faza dhe faza e parë ka qenë me disa protesta paqësore dhe me zgjedhjet e brendshme në PD. Faza e dytë si është, a mund të na i përktheni fjalët, “aksion, japim jetën edhe për votën”?
Berisha: E kape bukur, motoja do jetë ajo dhe vetëm ajo. Do bindim cdo shqiptar se nëse nuk dalin zot të votës së tyre nuk kanë kurrë të ardhme. Nëse presin nga të tjerët tallen, përqeshin veten e tyre.
Shqiptarët duhet ti dalin zot votës së tyre dhe të mos presin nga askush. E marr shembull për të theksuar se në çfarë situate është shqiptari për votën e tij. Unë kam besim se një kalbësirë si kjo nuk do zgjasë dhe ne do bëjmë gjithçka për ti shkatërruar jetën kësaj kalbësirë.
Ne jemi për të gjitha format e protestave dhe të mos bindjes civile, mosbindje civile nuk do të thotë dhunë.