Pas ambasadës së SHBA që nuk e përmendte Berishën me emër, por e cilësonte si një ligjvënës të Parlamentit, edhe partitë simotra të PD refuzojnë ta etiketojnë atë si lider të opoziës.
Sot, Partitë Popullore Evropiane e kanë dënuar sulmin që një qytetar ndërmori ndaj Sali Berishës, në tubimin e zhvilluar më 6 dhjetor, gjatë punimeve të Samitit të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Berisha, i cili po ecte me demonstruesit drejt një skene të improvizuar, u godit me grusht nga 31-vjeçari Gert Shehu, pasi ky i fundit u fut mespërmes gazetarëve dhe e qëlloi kreun e demokratëve, duke e dëmtuar në fytyrë.
“Si PPE ne kemi mbrojtur gjithmonë të drejtat demokratike të lirisë së tubimit dhe lirisë së shprehjes. Çdo sulm kundër çdo demonstruesi paqësor duhet të dënohet dhe shkeljet të hetohen dhe të ndiqen shpejt nga autoritetet kompetente. Dhuna nuk është kurrë një mjet i pranueshëm në politikë”.
Ka qenë ky reagimi i PPE për ngjarjen, ku bie në sy fakti se partitë e spektrit të djathtë nuk e kanë etiketuar Berishën si lider të PD-së dhe opozitës shqiptare, por si qytetar.
Që prej kërkesës për rikthimin e tij në krye të demokratëve, PPE-të dolën kundër një situate të tillë, duke reflektuar faktin se Berisha është përcaktuar si persona non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe më pas edhe nga Britania e Madhe.
E njëjta linjë vijon kështu për ta, edhe në reagimin e fundit të dhunës ndaj Berishës.