Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se kërcënimi i një lufte bërthamore po rritet. Por ai këmbënguli se Rusia nuk ishte “çmendur” dhe nuk do të përdorte armët e saj bërthamore e para, por vetëm në përgjigje të një sulmi.
“Një kërcënim i tillë po rritet, do të ishte gabim ta fshehim atë”, paralajmëroi Putin ndërsa fliste për perspektivën e një lufte bërthamore. Por ai pohoi se Rusia në asnjë rrethanë nuk do të përdorte armët e para dhe nuk do të kërcënonte askënd me arsenalin e saj bërthamor.
“Ne nuk jemi çmendur, ne jemi të vetëdijshëm se çfarë janë armët bërthamore. Ne nuk do të vrapojmë nëpër botë duke e tundur këtë si kërcënim”, theksoi ai.
Sipas tij, Rusia do të përdorte vetëm armë të shkatërrimit në masë në përgjigje të një sulmi.
Kapaciteti i Rusisë për të përdorur armë bërthamore është vënë nën kontroll të shtuar që kur ajo pushtoi Ukrainën në shkurt.
Duke folur në takimin vjetor të këshillit rus të të drejtave të njeriut, ai tha gjithashtu se lufta në Ukrainë mund të jetë një “proces i gjatë”.
Putin tha se Rusia kishte armët bërthamore më moderne dhe më të avancuara në botë dhe e krahasoi strategjinë e saj bërthamore me SHBA-në, të cilat sipas tij kishin shkuar më tej se Rusia duke vendosur armët bërthamore në territore të tjera.
“Ne nuk kemi armë bërthamore, përfshirë ato taktike, në territorin e vendeve të tjera, por amerikanët kanë, në Turqi dhe në një numër vendesh të tjera evropiane,” tha ai.
Putini ka insistuar më parë se doktrina bërthamore e Rusisë lejonte vetëm përdorimin mbrojtës të armëve bërthamore.
Por në një intervistë të botuar sot kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar se rreziku i përdorimit të armëve bërthamore nga Moska në konfliktin në Ukrainë është ulur falë presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë.
“Një gjë ka ndryshuar për momentin. Rusia ka ndaluar së kërcënuari se do të përdorë armë bërthamore”, tha kancelari gjerman.
/a.r