Emigranti Xhevahir Brasha dyshohet të jetë vrarë për hakmarrje. Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Fllakë të Durrësit, burime nga policia bënë me dije se dy janë pistat kryesore ku janë përqendruar hetimet. Sipas bluve, babai i pesë fëmijëve mund të jetë qëlluar për vdekje për shkak të ndonjë konflikti të vjetër që ka pasur me shtetas shqiptarë gjatë kohës kur ka qenë në Angli ose për trafik të qenieve njerëzore.
“Nisur nga fakti që viktima rezulton pa precedentë penalë këtu në Shqipëri, dyshojmë se ai mund t’i ketë premtuar ndonjë personi apo disa personave për t’i dërguar në Angli si emigrantë ilegalë, ndërsa ai ose ata nuk kanë mundur të shkojnë në destinacion. Kemi të dhëna se Brasha merrej me falsifikimin e dokumenteve dhe ishte i implikuar në trafikimin e qenieve njerëzore drejt Anglisë.
Gjithashtu, dyshojmë se ai kishte probleme me drejtësinë, pasi mbante dy identitete (Xhevahir Brasha dhe Agim Caka)”, thanë burime pranë grupit hetimor. Ndërkaq, po të njëjtat burime u shprehën se “nga informacionet që kemi marrë, rezulton se në vitin 2010, në Londër, 41-vjeçari dhe xhaxhai i tij janë konfliktuar me një person nga Hasi. Gjatë këtij konflikti, xhaxhai i viktimës i ka prerë veshin shqiptarit dhe se për këtë ngjarje, autoritetet londineze e kanë dënuar autorin me 4 vjet burg, dënim ky i kryer tashmë. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur 6 vjet më parë, Xhevahir Brasha është vënë nën hetim, por nuk është dënuar”.
Lidhur me çështjen e identitetit të dyfishtë, familjarë të Brashës kanë sqaruar se ai kishte shkuar në Angli si kosovar njëzet vjet më parë, ndaj edhe mbante dy emra.
Kjo është një praktikë e përdorur nga shumë shtetas të Shqipërisë, të cilët përdornin emra kosovarë për të siguruar qëndrimin në Britani apo vende të tjera, si të larguar nga shtypja serbe në Kosovë.
Në rastin e Brashës, ai ka përdorur identitetin e burrit të motrës, Agim Caka, nga Kosova.
BW