Karta e celularit që ishte ngjitur me pakon me tritol që ra nga makina e biznesmenit Nuredin Suli, në parkingun e qendrës tregtare, ishte aktivizuar një ditë para tentativës për atentat.
Panorama shkruan se kjo kartë SIM rezulton e regjistruar në një emër fiktiv dhe është blerë në tregun e zi duke u aktivizuar vetëm një ditë para se të zbulohej mina me celular.
Sipas burimeve, në këtë mënyrë provohet se mina është vendosur në makinën e Sulit në harkun kohor prej 24 orëve nga momenti kur u zbulua ngjarja.
Por ende nuk dihet me saktësi vendi se ku ka qenë e parkuar makina në momentin kur autorët kanë montuar bombën poshtë saj. Pakoja ra teksa makina nisi të ecte për të dalë nga parkingu i qendrës
tregtare dhe ekspertët thanë se ajo ishte e ngjitur me magnet dhe nuk mbajti prej peshës së madhe.
Ndërkohë janë lënë të lirë tre personat e fisit Sulo, me të cilët është në hasmëri biznesmeni i karburanteve. Vendimi është marrë nga Policia, pasi nuk u provua lidhja e tyre me vendosjen e bombës në makinë e Nuredin Sulit.
Alibia e Sulo Sulos dhe dy të afërmve të tij, se ndodheshin në një lokal në Fier, kur ndodhi ngjarja, por edhe një ditë më përpara, i ka shpëtuar ata nga pranga. Kjo e provuar nga kamerat e sigurisë së lokalit, por edhe nga prova e siguruar së fundmi nga grupi hetimor, se karta SIM e vendosur në celularin e minës që ra nga makina e Nuredin Sulit kishte vetëm 24 orë që ishte aktivizuar, nga momenti kur u zbulua pakoja me eksploziv.